Koncert me pjesë xhazi të ndërthurura me muzikën e Shtrausit
Muzika e përjetshme e Johan Shtrausit (Johann Strauss) erdhi mbrëmjen e djeshme në sallën Black Box të Universitetit të Arteve, duke u ndërthurur me elemente jazz-i, pop-i dhe chanson-i.
Clara Montocchio Quintet erdhi me një koncert unik ndërzhanror, në kuadër të aktiviteteve të Javës Kulturore Austriake që po zhvillohen në kryeqytet.
Programi që prezantoi kuinteti, solli pjesë të rikompozuara nga kryeveprat e Shtrausit, përfshirë “Kupleja e Orlofsky”-t, “Meine Lippen, sie küssen so heiß”, “Wiener Blut” dhe të tjera, duke i sjellë në një peizazh tingujsh bashkëkohorë.

Performanca emocionoi dashamirësit e muzikës të mbledhur në sallën Black Box, ku hyrja ishte e lirë. Pesë muzikantët, të trajnuar në muzikën klasike, krijuan një përvojë dinamike muzikore që kapërceu kufijtë e zhanreve dhe solli muzikën e Shtrausit në shekullin XXI.
