Shuhet napolitani i artit modern, shpirti që mëkoi dritë përmes fotografisë bardh e zi

“Nuk e di nëse bukuria do ta shpëtojë botën, por për mua ajo është balsam dhe qetësi.”, ka thënë Mimmo Jodice, ai që ikën duke lënë një botë që dëshirimin për të bukurën e ushqen me ndjenjat dhe përjetimet e tij personale prej drite.

Është shuar Mimmo Jodice, mjeshtri i madh i fotografisë napolitane dhe një nga figurat më emblematike të artit bashkëkohor ndërkombëtar, ai që arriti të shndërronte dritën në gjuhë, heshtjen në poezi, dhe qytetin e tij në mit.

I lindur në Rione Sanità në vitin 1934, Jodice u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të thellë estetike dhe shpirtërore.

Nga viti 1970 deri në 1994, Mimmo Jodice dha mësim në Akademinë e Arteve të Bukura të Napolit, ku për breza të tërë studentësh u bë jo vetëm mësues, por udhërrëfyes i një shikimi të ri mbi realitetin. Ai i çonte nxënësit nëpër rrugë për t’i “edukuar me dritën”, për t’u mësuar të shihnin përtej asaj që duket, të hiqnin dorë nga e tepërta, derisa forma e pastër e gjërave të dilte në pah si një akt zbulese.

Pesë dekada kërkimi vizual e shpien Jodicen nga eksperimentimi artistik te hulumtimi dokumentar, e prej andej drejt thellësive metafizike të imazhit. Ishte pikërisht në këtë fazë që fotografia e tij u bë hapësirë e heshtjes, vend i meditimit, ku koha ngadalësohej, për t’i lënë vend kujtesës që të tregonte historitë e saj të padukshme. Ai e rrëfeu Napolin jo si qytet, por si shpirt, me rrudhat dhe plagët e tij, me varfërinë dhe madhështinë, me dritën që ngjiz bukurinë dhe me errësirën që lind revoltën dhe dëshirën për t’u ringritur.

Fotografitë e tij bardh e zi janë një përvojë estetike dhe emocionale e rrallë, një poetikë e dritëhijes, ku thjeshtësia shndërrohet në përkushtim filozofik ndaj së bukurës. Çdo imazh i Jodices është një gjendje e brendshme, një lutje e heshtur përmes së cilës realiteti arrin të shfaqet në formën e tij më të thellë.

Në librin e tij të fundit, “Saldamente sulle nuvole” (2023), shkruar me Isabella Pedicini, ai rrëfen jetën e vet me butësinë e një njeriu që e di se arti nuk është pronë, por dhuratë; se fotografia është mënyra më e ndershme për ta falënderuar botën që ekziston. “Të qëndrosh fort mbi retë”, ky ishte besimi i tij: se njeriu, përmes dritës dhe kujtesës, mund të ecë mbi boshllëkun pa u rrëzuar kurrë.

Kështu përmbyllet një jetë që i dha artit një dimension të ri të përulësisë, qetësisë dhe kërkimit të brendshëm. Një jetë që mësoi se bukuria nuk shpëton botën në mënyrë të drejtpërdrejtë, por na shpëton ne, një e nga një, duke na kthyer ndjeshmërinë, përunjësinë dhe aftësinë për të parë.

Përgatiti: Albert Vataj