Peshëngritje/ Enkileda Carja shkëlqen dhe i dhuron Shqipërisë 3 medalje të arta europiane

Një ditë historike për sportin shqiptar! Shtangistja e talentuar Enkileda Carja ka shkëlqyer në pedanën e Durrësit, duke u shpallur kampione e Europës në peshën 63kg, në kategorinë junior.

Një paraqitje e jashtëzakonshme që ngjalli emocione të papërshkrueshme te të gjithë tifozët kuqezi.

Carja tregoi superioritet të plotë, duke realizuar me sukses të gjashtë provat e saj dhe duke dominuar si në stilin e shkëputjes, ashtu edhe në shtytje.

Në shkëputje ajo ngriti 95kg, 96kg dhe 98kg, ndërsa në shtytje triumfoi me 113kg, 116kg dhe 118kg. Kjo performancë e pabesueshme i siguroi tri medalje të arta dhe vendosjen e rekordeve të reja europiane në të dyja kategoritë.

Me një total prej 216kg në dygarësh, Carja u ngjit e para në të gjitha kategoritë, duke shënuar një fitore që do të mbetet gjatë në historinë e peshëngritjes shqiptare.

Peshëngritje/ Enkileda Carja shkëlqen dhe i dhuron

Momenti kur himni kuqezi u dëgjua në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” ishte emocionues dhe i mbushur me krenari, ndërsa publiku festonte suksesin e madhe të saj.

Enkileda Carja jo vetëm që konfirmoi talentin dhe përkushtimin e saj, por edhe dhuroi një moment të paharrueshëm për gjithë sportdashësit shqiptarë.

Një nga ditët më të bukura të historisë së sportit tonë, ku një kampione e vërtetë tregoi se ëndrrat bëhen realitet me punë, pasion dhe vendosmëri.

Për këtë sukses të jashtëzakonshëm të sportistes Carja, ka reaguar edhe kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako.

“Urime të përzemërta peshëngritëses sonë të jashtëzakonshme, Enkileda Carja, që shkëlqeu në Kampionatin Europian për të Rinj & U23 që po zhvillohet në Durrës, duke u shpallur kampione e trefishtë e Europës!

Me një performancë fantastike, Enkileda theu 3 rekorde europiane dhe madje edhe 1 rekord bote, duke treguar forcë, vendosmëri dhe përkushtim shembullor”, shkruan Sako.