Manchester United-Newcastle, e vetmja ndeshje e Premier League në ‘Boxing Day’
Premier League ka bërë publik kalendarin për periudhën festive dhe muajin janar, duke konfirmuar një vendim të veçantë për “Boxing Day” të këtij sezoni.
Më 26 dhjetor, e premte, do të zhvillohet vetëm një ndeshje në elitën e futbollit anglez, përballja mes Manchester United dhe Newcastle United në “Old Trafford”.
Kjo sfidë do të jetë e vetmja që do të luhet në atë datë, ndërsa pjesa tjetër e ndeshjeve të javës do të zhvillohen gjatë fundjavës, më 27 dhe 28 dhjetor.
Liga sqaroi se ky ndryshim vjen për shkak të disa sfidave të krijuara nga zgjerimi i garave europiane të klubeve, çka ka sjellë ndryshime në kalendarin e brendshëm që prej sezonit të kaluar, përfshirë edhe formatin e Kupës FA.
Si rezultat, Premier League tani zhvillohet brenda 33 fundjavave, më pak se në të kaluarën, ndonëse kampionati përbëhet nga 380 ndeshje që prej vitit 1995.
Në deklaratë thuhet: “Me më pak fundjava në dispozicion, kampionati është i kushtëzuar nga mënyra se si bie kalendari.
Mund të garantojmë se sezonin e ardhshëm do të ketë më shumë ndeshje të Premier League në ‘Boxing Day’, pasi ajo datë bie të shtunën.”
Në këtë mënyrë, për tifozët e futbollit anglez, “Boxing Day” këtë vit do të jetë i fokusuar te një duel i vetëm, por jashtëzakonisht emocionues mes dy skuadrave elitare të Premier League.
Manchester United dhe Newcastle pritet të dhurojnë spektakël në një nga datat më tradicionale të futbollit britanik.
