ZYRTARE/ Tirana ndan rrugët me Roberto Bordin, ja kush pritet të marrë drejtimin e bardhebluve
Nga OraNews Përditësimi i fundit 31 Tetor 2025, 17:19
Tirana ka ndarë përfundimisht rrugët me trajnerin Roberto Bordin.
Klubi njoftoi largimin e tij me një postim në rrjetet sociale, duke i dhënë fund bashkëpunimit pas një periudhe të vështirë në kampionat.
Pas vendimit për ndarjen, drejtimin e skuadrës pritet ta marrë Ardian Nuhiu, i cili është parë tashmë në dhomën e zhveshjes duke u takuar me lojtarët.
Seanca stërvitore e paradites u anulua për shkak të ndryshimit në stafin teknik.
Me këtë lëvizje, Tirana nis fazën e dytë të kampionatit me trajnerin e tretë për këtë sezon, pas largimeve të Vangjel Miles dhe Roberto Bordin.
Bardheblutë synojnë t’i japin një kthesë pozitive sezonit nën drejtimin e Nuhiut, i cili deri në fund të muajit të kaluar drejtonte Gjilanin në Kosovë.

