Felippe Massa çon në gjyq çështjen ‘Crashgate’: Dua 70 milionë euro dëmshpërblim

Felipe Massa ka arritur ta çojë në gjykatë në Londër çështjen e famshme “Crashgate” të sezonit të Formula 1 në vitin 2008. Këtë javë janë zhvilluar seancat paraprake për të përcaktuar nëse rasti, i hapur pas 17 vitesh, do të kalojë në proces të plotë gjyqësor.

Skandali “Crashgate” dhe titulli i humbur për një pikë

Çështja lidhet me episodin e njohur si “Crashgate”, që ndodhi në Çmimin e Madh të Singaporit në vitin 2008.

Nelson Piquet Jr. u përplas qëllimisht në mur (siç pranoi vetë në vitin 2009 duke thënë se e kishte bërë “me sugjerimin e Renault”), për të shkaktuar daljen e makinës së sigurisë.

Situata i dha përparësi Fernando Alonsos, shokut të tij të skuadrës, i cili hyri i pari në bokse dhe më pas fitoi garën. Flavio Briatore dhe Pat Symonds, drejtues të Renault në atë kohë, fillimisht u pezulluan, por më vonë u shpallën të pafajshëm.

Dalja e Safety Car dhe kaosi i krijuar shkaktuan një pit-stop katastrofik për Massan, i cili u largua me pompën e karburantit ende të lidhur në makinë, duke i dhënë fund garës së tij dhe humbur pikë të rëndësishme.

Ai e mbylli kampionatin i dyti, duke humbur titullin e pilotëve (e fitoi Lewis Hamilton) për vetëm një pikë.

“Rikthimi” i Ecclestone dhe nisma ligjore

Nisma ligjore e Massa-s (filluar në gusht 2023) u nxit nga një intervistë e Bernie Ecclestone në vitin 2023. Ish-shefi i Formula 1 tha se kishte qenë i vetëdijshëm për skandalin që në vitin 2008, por zgjodhi të mos ndërhynte.

Megjithatë, në sallën e gjyqit këto ditë, Ecclestone deklaroi se nuk e kujtonte atë intervistë.

Massa nuk kërkon t’i jepet titulli kampion, por kërkon mbi 80 milionë dollarë (rreth 70 milionë euro) dëmshpërblim dhe një deklaratë zyrtare se FIA nuk ndoqi rregulloret duke mos e hetuar rastin në kohë.

Përgjigjja e FIA-s: Po gabimet e Ferrarit?

FIA, e drejtuar atëherë nga Max Mosley, reagoi ashpër ndaj padisë.

Ajo theksoi se Massa, “një qytetar multimilioner brazilian”, ka ngritur një padi në Angli dhe Uells kundër një organizate sportive private me qendër në Francë për ngjarje të ndodhura më 28 shtator 2008, më shumë se 17 vite më parë.

Federata shtoi gjithashtu se kërkesa e Massa-s “anashkalon qartazi një sërë gabimesh të kryera nga vetë piloti ose nga skuadra e tij Ferrari gjatë garës në Singapor dhe në gara të tjera, të cilat kontribuan në faktin që ai përfundoi sezonin i dyti në renditjen e pilotëve.”