Salla: Kompensim me 10% të TVSH-së për fermerët nga 1 janari 2026

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla njoftoi se fermerët shqiptarë do të përfitojnë kompensim në masën 10% të TVSH-së për çdo blerje të mallrave dhe shërbimeve, duke filluar nga 1 janari 2026.

Ministri bëri të ditur se, kjo masë është pjesë e paketës fiskale të re dhe është në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Europian.

Salla theksoi se kjo politikë synon të ulë kostot e prodhimit, të rrisë konkurrueshmërinë dhe të forcojë ekonominë rurale.

“Me këtë masë, fermerët do të kenë një mbështetje konkrete që u lehtëson aktivitetin, nxit formalizimin e sektorit dhe përforcon stabilitetin e bujqësisë shqiptare”, deklaroi ministri.

Sipas vlerësimeve, rreth 1,5 miliardë lekë në vit do të përfitojnë fermerët, duke sjellë përfitime të ndryshme: Forcim të zinxhirit të prodhimit “Made in Albania”; nxitje të formalizimit të sektorit bujqësor; rritje të stabilitetit, besimit dhe qëndrueshmërisë së bujqësisë shqiptare, duke e çuar vendin më pranë integrimit europian.

Ministri njofton se ky kompensim do të aplikohet automatikisht për fermerët e regjistruar në sistemin zyrtar dhe do të përfshijë të gjithë ata që kryejnë aktivitet bujqësor të formalizuar, duke përfshirë prodhuesit e bimëve, blegtorinë dhe agrobizneset e tjera të sektorit rural.

Ky vendim është një tjetër hap strategjik i qeverisë për mbështetjen e fermerëve, prodhimit vendas dhe për përforcimin e konkurrueshmërisë së bujqësisë shqiptare në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.