“ËMBËLSIRAT ME METAL”/ Zbulohet harta e qyteteve ku u shit produkti i rrezikshëm
Një alarm serioz për sigurinë ushqimore është ngritur në vend, pasi në disa produkte për ëmbëlsira dhe akullore janë zbuluar fragmente metali. Pjesa më e madhe e sasisë së importuar nga Italia tashmë është konsumuar, duke rritur shqetësimin për pasojat në shëndetin publik.
Në vendin tonë janë tregtuar dhe konsumuar ëmbëlsira dhe akullore që përmbanin fragmente metali në përbërjen e tyre, duke ngritur alarmin për sigurinë ushqimore.
Më konkretisht, te bazat gjysmë e gatshme për ëmbëlsira dhe akullore, janë konstatuar fragmente metali, të cilat përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e njeriut. Ky produkt është importuar nga Italia.
Pas njoftimit të sistemit RASFF për largimin e menjëhershëm të produktit nga tregu, ka rezultuar se pjesa më e madhe është shitur.
Sipas burimeve zyrtare nga AKU për televizioni “Ora News” na bëhet me dije se sasia totale e produktit të rrezikshëm, i cili është importuar në vendin tonë është 1620 kg. Këto janë fotot e produktit.
Nga kjo sasi është konsumuar nga qytetarët në ëmbëlsira dhe akullore 1246 kg, dhe është bllokuar për asgjësim vetëm 374 kg.
Ekspertët theksojnë se, në varësi të madhësisë dhe përbërjes së fragmenteve metalike, pasojat për konsumatorët mund të jenë nga lëndime të lehta fizike deri te komplikime të rënda toksikologjike.
Nëse metali është i tipit të rëndë, si plumbi apo kadmiumi, mund të kemi edhe helmim kronik, që dëmton mëlçinë dhe sistemin nervor.
AKU në kthimin e përgjigjes për “Ora News” na bën më dije se shpërndarja është bërë në qarqet, Tiranë, Vlorë, Durrës, Fier, Lezhë, Gjirokastër dhe Berat.
Ky produkt është përdorur në subjekte me aktivitet prodhim akullore, pastiçeri dhe restorante.

