“MAGJEPSET” EVROPA/ Shqipëria, në qendër të vëmendjes botërore për turizmin mesdhetar

Televizioni francez “M6 Info” rendit Shqipërinë ndër destinacionet më tërheqëse të Mesdheut për vitin 2025. Me bregdetin mahnitës, Tiranën moderne dhe mikpritjen tradicionale, vendi po kthehet në një yll në ngjitje të turizmit rajonal. Francezët dhe evropianët tashmë po zbulojnë “Dolçevitën shqiptare”, edhe përtej sezonit veror.

Qiell blu, ujë kristaltë dhe më shumë se 300 ditë me diell në vit kështu e përshkruan televizioni francez “M6 Info” rivierën shqiptare, duke e cilësuar Shqipërinë “yll në ngjitje të Mesdheut”.

Reportazhi ndjek një grup turistësh francezë që zbulojnë bukuritë e bregdetit të jugut, nga Himara drejt Shpellës së Piratëve.

“Uji është i ngrohtë dhe vërtet magjik,” thonë vizitorët francezë që e krahasojnë Shqipërinë me Maldivet.

Në vetëm një dekadë, numri i turistëve është trefishuar nga 4 në 12 milionë në vit.

Ndërkohë, revista ndërkombëtare “Travel and Tours” njw ditw mw parw  e cilëson Tiranën “destinacion që bashkon trashëgiminë dhe modernitetin”.

Nga muzeu “Bunk’Art” e deri te Piramida e rikthyer në qendër inovacioni, kryeqyteti po tërheq vizitorë të çdo moshe.

Sipas operatorëve turistikë francezë, hotelet mbushen plot me turistë nga prilli deri në tetor shenjë e qartë e një sezoni që tashmë zgjatet edhe në vjeshtë.

Me natyrën, kulturën dhe zhvillimin modern, Shqipëria po kthehet në një histori suksesi në turizmin mesdhetar një destinacion që magjeps Evropën, nga jugu i detit Jon deri në zemrën e Tiranës.