Lazaj qetëson konsumatorët: Çmimi i vajit të ullirit nuk pritet të rritet këtë vit

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, drejtori i teknologjive bujqësore, Adhurim Lazaj, foli për situatën e prodhimit të vajit të ullirit në vend, duke theksuar se ndonëse rendimenti ka rënë për shkak të kushteve klimatike dhe mungesës së fuqisë punëtore, situata nuk është alarmante dhe çmimet pritet të mbeten të qëndrueshme.

" Në fakt, situata nuk është aty ku pritej por nuk është dhe alarmante. Dëgjojmë shumë në përditshmëri që janë të shqetësuar për çmimin e vajit, mos ndoshta rrijnë çmimet e para dy viteve.

Faktikisht, klima është duke ndryshuar dhe është një ndër faktorët kryesorë që ka ndikuar në uljen e sasisë së prodhimit për këtë vit.

Kuptohet se krahas klimës ka dhe faktorë të tjerë që janë shërbimet agroteknike që për shkak të lëvizjeve demografike të mungesës së fuqisë punëtore, një pjesë e ullishteve, veçanërisht ullishtet e vjetra që janë të trashëguara nga sistemi dhe janë ndarë si janë ndarë, përgjithësisht ato janë të lëna pas dore.

Sa i takon çmimit pikë së pari është element i tregut dhe është tregu ai që vendos.

Para 2 vjetësh duhet të kujtojmë se Spanja ishte shumë më poshtë se prodhimi i saj i përvitshëm, ishte dy vite rresht që ishte gati 20-30% më pak se viti normal.

Ajo që përcakton çmimin është prodhimi që kanë vendet kryesore. Spanja që është e para dhe në sasinë e prodhimit por që mban dhe peshën kryesore në eksporte, Italia, Greqia e vende të tjera që kanë sasi të mëdha të prodhimit.

Publiku duhet të qetësohet sepse ne, sido që të jetë rendimenti dhe sasia, e kemi kaluar tashmë, sado pak prodhim të ketë, nuk mund të arrijmë prodhimin e para 5-6 viteve.

Jemi shumë larg sa ku mund të ishim por jo për të rrezikuar që të ketë diferenca të mëdha çmimi", u shpreh Lazaj.