Pse Rusia ka ulur shpërblimet për ushtarët që nënshkruajnë për të luftuar në Ukrainë?
Një numër gjithnjë e më i madh rajonesh në Rusi po i ulin ndjeshëm shpërblimet për burrat që me dëshirë nënshkruajnë për të luftuar në Ukrainë, sipas REL.
Kjo që tregon si telashet buxhetore të shkaktuara nga ekonomia e dobësuar e Rusisë, ashtu edhe ndryshimet në prioritetet e forcave të armatosura.
Në javët e fundit, të paktën tetë rajone, kryesisht në rajonin qendror të Vollgës, por edhe në rajonin e gjerë subarktik të Jamal-Nenets, i kanë ulur pagesat që u jepen burrave që nënshkruajnë kontrata për t’iu bashkuar ushtrisë.
Kjo përfshin edhe rajonin e Samarës, ku vullnetarët e rinj – të njohur gjerësisht si “kontraktniki” – tani marrin vetëm 400 000 rubla, apo rreth 5 000 dollarë, në momentin e nënshkrimit, më pak se një maksimum prej 3,6 milionë rublash në janar.
Vlerësimet tregojnë se mbi një milion janë vrarë dhe plagosur, por Rusia e ka vazhduar luftën e saj tashmë gati katërvjeçare në Ukrainë falë një sistemi të përbërë mobilizimi dhe rekrutimi.
Sistemi i rekrutimit është mbështetur në një kombinim pagesash federale nga Ministria e Mbrojtjes, dhe pagesash lokale nga qeveritë rajonale që janë urdhëruar t’i plotësojnë kuota të caktuara. Në disa raste, edhe qytete apo komuna të veçanta kanë kontribuar në shpërblimet e nënshkrimit.
Vullnetarët janë joshur me paga jashtëzakonisht të larta dhe shpërblime të menjëhershme, si edhe përfitime bujare për familjet e të vrarëve. Në disa rajone, shuma që merr një rekrut i ri tejkalon pagën vjetore mesatare.
Këto para ua kanë mundësuar komandantëve dhe udhëheqësve politikë ta shmangin një mobilizim tjetër të papëlqyeshëm, si ai i shtatorit 2022. Po ashtu, kanë gjallëruar ekonomitë lokale në rajonet e varfra, që ndodhen larg qyteteve të pasura si Moska dhe Shën Petërburgu.
Punë për burra të vërtetë
Në rajonin e Vollgës, Tatarstan, i cili ka pësuar një nga shkallët më të larta të viktimave në gjithë Rusinë, pagesat janë ulur ndjeshëm këtë vit: nga 2,7 milionë rubla në 400 000 rubla.
Bonusi prej 400 000 rublash – që është minimumi i kërkuar nga autoritetet federale – plotësohet me një shumë të barabartë nga Ministria e Mbrojtjes, sipas reklamave të publikuara në faqet e agjencive rajonale të lajmeve dhe mediave shtetërore.
Në Bashkortostan, një rajon tjetër qendror me humbje të mëdha njerëzore, bonusi i nënshkrimit prej 1,6 milionë rublash është ulur në 600 000 rubla.
Në Mari El, një republikë e vogël dhe e varfër e Vollgës, autoritetet kishin ofruar më herët këtë vit shpërblime prej 2,6 milionë rublash, duke e bërë atë një nga rajonet me pagesat më të larta në vend. Sipas të dhënave zyrtare, rajoni kishte arritur të rekrutojë 1 300 burra në gjashtëmujorin e parë të 2025. Tani, bonuset janë ulur në 400 000 rubla.
Ligjvënësi Mihail Deljagin, anëtar i komitetit të politikës ekonomike në Parlament, tha se këto ulje vijnë si pasojë e shkurtimit të transfereve nga buxheti kombëtar.
“Ky është rezultat i politikave të Ministrisë së Financave… që po e shtrydh vendin, përfshirë rajonet e pasura si Bashkortostani”, tha ai për RTVi në qershor.
Fushatat e reklamave të Ministrisë së Mbrojtjes në billboarde, rrjete sociale dhe faqe punësimi, theksojnë përfitimet financiare të rekrutimit për të luftuar në Ukrainë. Në disa raste, ato i drejtohen posaçërisht njerëzve me vështirësi ekonomike.
Ngadalësimi i ekonomisë së luftës
Pas më shumë se tre vjetësh rritjeje të shpejtë, ekonomia e Rusisë po tregon shenja serioze tkurrjeje, pjesërisht për shkak të inflacionit të nxitur nga pagat e larta, të cilat nga ana tjetër janë rezultat i mungesës së fuqisë punëtore, pasi shumë burra janë joshur në frontin e Ukrainës.
Kjo po ndryshon tani, me politikëbërësit fiskalë dhe monetarë që parashikojnë një ngadalësim të fortë ekonomik, shkruan REL.


