Britania pret familjet e studentëve nga Gaza! Leje për bashkim familjar me doktorantët dhe studentët me bursa

Qeveria britanike ka lejuar që partnerët dhe fëmijët e studentëve nga Gaza, që ndjekin studime të avancuara në Mbretërinë e Bashkuar, të bashkohen me ta. Vendimi shënon një kthesë të rëndësishme në politikat e emigracionit pas presioneve nga universitetet dhe organizatat humanitare.

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të lejojë bashkimin familjar për partnerët dhe fëmijët e studentëve nga Rripi i Gazës, që ndjekin studime të doktoraturës, masterit kërkimor apo programe të financuara nga shteti britanik, si bursat prestigjioze Chevening.

Ky vendim përbën një ndryshim të madh nga politika fillestare, e cila lejonte vetëm evakuimin individual të studentëve pa familjet e tyre.

Një zëdhënës i qeverisë britanike deklaroi se çdo kërkesë për vizë do të shqyrtohet individualisht, ndërsa aplikantët duhet të vërtetojnë kapacitetet financiare për të mbuluar shpenzimet bazë të jetesës.

Sipas udhëzimeve, shuma minimale që duhet të provohet është 6.120 paund për personat që jetojnë jashtë Londrës dhe 7.605 paund për ata që jetojnë në kryeqytet.

Autoritetet britanike e justifikuan ndryshimin e politikës si një akt humanitar ndaj studentëve që “kanë kaluar vështirësi të paimagjinueshme” dhe që tani mund të “rindërtojnë jetën e tyre në universitete të klasit botëror”.

Shumë prej studentëve kishin paralajmëruar se do të braktisnin studimet nëse nuk do t’u lejohej të sillnin familjet, duke e cilësuar ndarjen si “emocionalisht të papërballueshme”.

Një prej tyre, Manar al Houbi, studente nga Gaza e pranuar në Universitetin e Glasgout, tha se vendimi e ka lehtësuar ndjeshëm:

“Gratë akademike nuk duhet të privohen nga karriera për shkak të detyrimeve familjare. Ky është një hap drejt dinjitetit dhe barazisë.”

Deri tani, 75 studentë nga Gaza kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar përmes skemës së evakuimit, ndërsa gjashtë të tjerë rrezikojnë të humbasin vendet e tyre për shkak të vonesave procedurale.

Skema është e vlefshme deri në fund të vitit 2025, dhe ende nuk është e qartë nëse do të zgjatet.

Ndërkohë, konflikti në Gaza vazhdon me më shumë se 65 mijë viktima të raportuara që prej fillimit të luftës.