Kampionati i fluturimeve mbush me ngjyra qiellin e Korçës
Nis këtë të enjte në qytetin e Korçës kampionati i fluturimeve “Korça Open Air”.
Ky do të jetë edicioni i 11-të i këtij kampionati që pritet t’i sjellë qytetit një atmosferë të jashtëzakonshme që do të bëjë bashkë pilotë e sportdashës nga i gjithë vendi.
“Nga 30 tetori deri më 2 nëntor, qielli i Korçës do të vishet me ngjyra, adrenalinë dhe emocion”, shkroi kryebashkiaku Sotiraq Filo në rrjetet sociale.
Në programin e ditës së sotme janë fluturimet me paramotore, fluturime testuese precizioni si dhe regjistrimi i pilotëve për garën e precizionit.

Nesër kampionati do të vazhdojë me garat e precizionit, aeromodelling me fëmijët, tek qyteza e fëmijëve. Për mbrëmjen e datës 1 nëntor është parashikuar një mbrëmje festive ndërsa të dielën do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.
Aktivitetet e këtij kampionati do të zhvillohen në fushën e fluturimit në Lumalas (ish-fusha e aviacionit). Filo ftoi të gjithë bashkëqytetarët e tij të shijojnë së bashku fluturimet mbi Korçë dhe emocionet e sportit të ajrit.

