“TOYOTA YARIS”/ Ish-kryeprokurori i Vlorës kërkon pafajësi, Apeli i GJKKO-së do të vendosë më ...
Gjykata e Apelit të Posaçëm do të vendosë më 12 Nëntor mbi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i arrestuar me akuzën për ndikim në drejtësi në dosjen e bujshme “Toyota Yaris”, ndërsa ish përfaqësuesi i drejtësisë kërkon pafajësi.
Këtë të mërkurë, palët përballën argumentet para togave të zeza në shkallën e dytë të Gjykatës së Posaçme që ka për kompetencë çështjet e zyrtarëve të lartë, krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ish-kryeprokurori i Vlorës, i qëndroi kërkesës për pafajsi dhe shfajësim të plotë, ndërsa SPAK mbrojti qëndrimin se Aurel Zarka duhet të dënohet.
Përfaqësuesi ligjor, avokati Julian Mërtiri, tha në proces se ish prokurori nuk ka qenë përdorues i aplikacionit Sky ECC dhe se Zarka punonte në Vlorë, prandaj nuk mund të ndikonte në një çështje që ishte në Tiranë.
Sipas Mërtirit, përfshirja e tij në këtë çështje ishte artificiale, pasi të gjitha bisedat janë zhvilluar nga persona të tjerë dhe ai nuk ka pasur lidhje me marrëdhëniet e pretenduara.
Por sipas SPAK, Zarka, së bashku me tre persona të tjerë, ka ndërhyrë në 8 dosje duke ofruar e premtuar përfitime të parregullta për të ndikuar te funksionarë të drejtësisë, me qëllim lehtësimin e pozitës së disa të pandehurve, mes të cilëve edhe Suel Çela.
Më 20 maj, trupa gjykuese e përbërë nga Erjon Çela, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj e dënoi Zarkën me 4 vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Yaris”, dënim që u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ata dyshohen se kanë tentuar të ndikojnë tek gjyqtarë e prokurorë që hetonin Alfred Vladin, kushëririn e tij Elvis Vladi dhe biznesmenin Alban Mollaymeri, në lidhje me 3.4 milionë eurot e bllokuara në Portin e Durrësit në qershor 2018, me synimin për t’i favorizuar.

