TJETËRSIME TEK “RANA E HEDHUN”/ Zyrtarë të Kadastrës, IKMT, Policë e përfitues nën akuzë. Vjedhje toke e ndërtime pa leje, 9 masa sigurie për abuzimet (EMRAT)

Prokuroria e Lezhës ka goditur një tjetër rast të tjetërsimit të pronës në zonën e Ranës së Hedhun, ndërtimeve pa leje dhe legalizimeve të dyshuara në shkelje të ligjit. 9  zyrtarë e përfitues janë vënë nën masë sigurie

9 zyrtarë e ish zyrtarë të Kadastrës dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Lezhë, një efektiv polici dhe përfitues janë vënë nën akuzë si pjesë e një hetimi të gjerë për tjetërsim pronash dhe ndërtime pa leje në zonën turistike të Ranës së Hedhun.

Masat e sigurisë të miratuara nga Gjykata janë zbatuar nga Policia e Lezhës, ndërsa hetimi i ndjekur nga prokurorja Iva Harka mësohet se ka zbuluar skemën abusive.

Pjetër Tuci i cili dyshohet të jetë përfitues do të hetohet me masën e sigurisë "arrest në burg" ndërsa për pesë zyrtarë e ish zyrtarë është caktuar masa arrest në shtëpi.

Me këtë masë sigurie do të hetohen Gentjan Malotaj, ish-drejtor i Kadastrës së Lezhës, Artur Shabaku, ish-shef i sektorit të Legalizimeve dhe zyrtarët e Kadastrës, Admir Maxhuni dhe Hekuran Xhina.

Dy ish-drejtues të IKMT-së, Flor Gjini dhe Kol Malai, janë ndaluar të dalin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë

Polici i zonës së Shëngjinit Martin Ndoka është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar dalja jashtë vendit.

Gentian Malotaj dhe Artur Shabakut,  po ashtu janë të dyshuar edhe në një tjetër dosje për legalizimin e një pallati pa leje në zonën e Kunes në Shëngjin.

Malotaj u pezullua nga detyra si drejtues i Kadastrës dhe Shabaku si drejtues i legalizimeve në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa më 5 prill, prokuroria e Lezhës i dërgoi për gjykim bashkë me dy punonjës të tjerë të këtij institucioni për këtë dosje.

Ndërsa Flori Gjini është hetuar më parë për shpërdorim detyre në lidhje me një ndërtim pa leje në Patok.

Zona e Ranës së Hedhun rezulton ndër më të prekurat nga tjetërsimi i pronave, sipas hetimeve të prokurorisë së Lezhës që disa vite më parë coi në qeli edhe ish kryetarin e Bashkisë Fran Frrokaj pasi goditi një skemë abuzimi