Xhafaj: I papranueshëm, përdorimi i medias për nxjerrjen e sekreteve hetimore
Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj deklaroi sot në Kuvend se përdorimi i medias për të nxjerrë sekretet hetimore është i papranueshëm dhe për këtë duhet të ndërhyhet me propozime të reja ligjore.
Gjatë raportimit në Kuvend të Prokurorit të Përgjithshëm, Xhafaj vlerësoi fillimisht punën e institucioneve të drejtësisë penale, të cilave Reforma e Drejtësisë u ka dhënë një status të ri kushtetues në arkitekturën e re të drejtësisë.
“Nga raporti dhe qasja politike ndaj këtyre institucioneve bëhet e dallueshme edhe qasja që kemi për shtetin e së drejtës. Prokurorët përballen me ngarkesë të madhe dhe presione të gjithanshme. Janë në vijën e parë të përballjes me krimin, korrupsionin dhe çdo shkelje të ligjit. Ndaj dhe kam mbështetur me forcë forcimin e statusit të tyre profesional, si garanci për pavarësi, karrierë dhe mbrojtje të integritetit të tyre institucional”, u shpreh Xhafaj.
Ndërsa solli në vëmendje disa prej arritjeve në sistemin e prokurorisë, Xhafaj theksoi se, “ka rritje të hetimeve proaktive në ndjekjen penale të veprave që prekin interesin publik”.
“Gjatë muajve të fundit, bota politike dhe sistemi i drejtësisë janë përballur me shembuj domethënëse të sundimit të ligjit që na ofrojnë leksione të qarta për shtetin e së drejtës”, u shpreh Xhafaj, ndërsa solli në vëmendje proceset gjyqësore ndaj ish-presidentit francez Sarkozy apo kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilët janë hetuar në gjendje të lirë.
Xhafaj theksoi se ajo që i bashkon këta shembuj është mesazhi i qartë se askush nuk është mbi ligjin dhe se rëndësia e pavarësisë së institucioneve është absolute, pavarësisht fuqisë politike.
“Nga nga ana tjetër ato janë dëshmi të një profesionalizmi dhe humanizmi në hetimin dhe gjykimin penal”, shtoi ai. Sipas Xhafajt “Reforma në Drejtpsi ka ndryshuar rrënjësisht filozofinë e drejtësisë penale shqiptare”.
“Nga një sistem i centralizuar dhe hierarkik Prokuroria ka evoluar drejt një modeli modern të pavarësisë së brendshme dhe të jashtme të prokurorit. Ky ka qenë një hap vendimtar duke ndryshuar kulturën e pandëshkueshmërisë dhe barazisë para ligjit. Kjo ka sjellë edhe rritjen e besimit të qytetarëve te drejtësia”, tha ai.
Por sipas Xhafajt, “do të ishte një gabim i pafalshëm nëse nuk do të shihnim me kujdes problematikat dhe sfidat që e shoqërojnë këtë proces”.
“Pavarësia nuk është ligji, përkundrazi. Nëse garancia kushtetuese për pavarësinë e prokurorëve nuk do të shoqërohet me një kërkesë shumë më të fortë për llogaridhënie dhe përgjegjësi në ushtrimin e detyrës, kjo mund të sjellë efektet e kundërta”, tha ai.
Xhafaj kërkoi standarde të unifikuara në zbatimin e ligjit në hetim dhe në respektimin e garancive procedurale në procesin penal etj.
“Përdorimi i medias për të nxjerrë pjesë të dosjes penale apo sekretit hetimor është i papranueshëm. Sjellja jo etike në disa raste në trajtimin dhe komunikimin me administratën dhe komunitetin e biznesit lidhur me trajtimin e tyre në çështje të caktuara ka krijuar një frymë tensioni dhe intimiduese në disa raste, gjë që mund të krijojë efekte negative në klimën biznesit”, shtoi ai.
Xhafaj solli po ashtu në vëmendje numrin e lartë të masave “Arrest me burg” krahasimisht me mesataren e BE-së dhe të rajonit. “Nëse Belgjika e ka 10 persona për 100 mijë banorë, ne e kemi 94,6 persona për 100 mijë banorë. Po ashtu Shqipëria ka një nga raportet më të larta të të paraburgosurve në Europë”, shtoi ai.
