Kaso: Nuk i votojmë projektrezolutat, duhet një reformë e vërtetë në drejtësi

Partia Demokratike nuk do të votojë projektrezolutat për institucionet e drejtësie. Kështu bëri të ditur deputeti i PD-së, Ivi Kaso, gjatë fjalës së tij në Kuvend, nga ku foli për reformën në drejtësi, sipas të cilit “është vënë nën kontroll politik, çdo hallkë të drejtësisë”.

“Reforma në drejtësi, sot është shndërruar në simbolin më të qartë të dështimit institucional dhe kapjes së shtetit”, tha Kaso. Kaso u ndal edhe te krijimi i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kaso tha se sot njerëzit nuk besojnë më as tek gjyqtari, as tek prokurori, as tek ligji. Ndër të tjera deputeti i PD-së theksoi se “veprimet e SPAK kanë krijuar perceptimin se ndjekja penale zhvillohet me intensitet të ndryshëm në varësi të personit nën hetim”.

Sipas Kasos “hetimet ndaj përfaqësuesve të opozitës janë zhvilluar me shpejtësia e ashpërsi të pazakontë, ndërkohë që dosjet që prekin nivelet e larta të qeverisjes mbeten të ngrira ose zvarriten”.

“Kjo është thellësisht dëmtuese për besimin tek reforma. Shembulli është taskforca zgjedhore, ku rezultatet ishin minimale”, tha Kaso.

Kaso shtoi se “sot, SPAK shihet si një strukturë që funksionon me dy standarde që heziton përballë pushtetit por trimërohet dhe shërben si armë ndaj opozitës”. Kaso tha se sot përballë nesh ka rezoluta që kërkojnë të miratohen pa debat.

Sipas Kasos “nëse duam të ndërtojmë një shtet normal duhet ta themi qartë drejtësia shqiptare nuk ka nevojë për rezoluta që e dekorojnë, por për reforma që e çlirojnë atë nga kapja politike”.

“Ne nuk mund të pranojmë që Kuvendi të behet noteri i dështimit të një reforme që ka shkatërruar besimin publik, që ka vonuar gjykime, që ka mbajtur peng qytetarët dhe që ka zhdukur çdo ndjesi përgjegjësi tek gjyqtarët dhe prokurorë. Drejtësia nuk është pronë e qeverisë, as e ambasadave, as e ndonjë fondacioni, ajo është e gjithë qytetarëve shqiptarë”, tha Kaso.

Prandaj, shtoi Kaso, “PD nuk do t’i votojë ato projektrezoluta, sepse ato tentojnë që t’i japin një fasadë legjitimiteti një dështimi historik”.

Ndërkohë, theksoi më tej deputeti i PD-së, “ne vazhdojmë që të jemi të përkushtuar për një reformë të vërtetë në drejtësi, të bazuar tek përgjegjësia, meritokracia, balancimi i pushteteve dhe llogaridhënia reale, dhe jo tek kapja dhe përdorimi politik”.

“Në besojmë fort se një shtet që nuk jep drejtësi nuk është më shtet, ai është dhe ngelet vetëm një strukturë mafioze”, tha Kaso.