VIDEO/ Sherri me kamionistin në Korçë, demokrati Bledion Nallbati paraqitet në SPAK
Demokrati Bledion Nallbati është paraqitur në orët e para të kësaj të hëne në Prokurorinë e Posaçme.
Ndërsa nuk është e qartë arsyeja e thirrjes së tij në SPAK, kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Nallbati bëhet subjekt i hetimeve në SPAK.
Kujtojmë se ai u përfshi në hetime pas sherrit në sallën e seancave plenare me deputetin socialist Vullnet Sinaj, të cilin e sulmoi me grushte.
Po ashtu, Bledion Nallbati u përfshi edhe në një përplasje me një shofer kamioni në rrugë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit në Korçë.
Deputeti demokrat Bledion Nallbati po merret në pyetje nga prokurori Vladimir Mara, i cili ka drejtuar Task-forcën në qarkun Korçë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Në fjalën e tij para gazetarëve pasi doli nga Prokuroria e Posaçme, Nallbati u shpreh se u thirr si person në dijeni.
“U thirra për konfliktin e stisur në fushatë nga Niko dhe çerrat e tij për të cënuar imazhin tim dhe procesin zgjedhor. U thirra si person në dijeni”, u shpreh ai.
Kujtojmë se Nallbanti dhe vëllai i tij Alti Nallbati, i njohur si “Duçja”, janë përfshirë më maj në një konflikt me një drejtues kamioni. Në deklarimet e dhëna në prokurori, deputeti së bashku me vëllanë janë shprehur se kamioni ka qenë me shpejtësi dhe mund t’i kishte goditur nga mbrapa.


