Kryebashkiaku demokrat braktis partinë sepse ajo nuk pushon së u ankuari për Trump-in
Një kryebashkiak demokrat ka vendosur të largohet nga partia e tij dhe të kandidojë si i pavarur për guvernator.
Mike Duggan, që ka qenë demokrat për 40 vjet, tha se po e braktiste partinë sepse e vetmja mënyrë e saj për të bërë politikë ishte të sulmonte republikanët me negativitet.
Ai njoftoi se do të kandidonte si i pavarur për të zëvendësuar Gretchen Whitmer-it në shtetin e Miçiganit, disa javë pasi Kamala Harris humbi këtë shtet vendimtar përballë Donald Trump-it.
Gjatë tre mandateve si kryebashkiak i Detroitit, Duggan, 67 vjeç, ka fituar mirënjohje për uljen e kriminalitetit dhe për ndalimin e shpërnguljes masive të banorëve nga një qytet që dikur kishte normën më të lartë të vrasjeve në SHBA.
Ai gëzon mbështetje të madhe nga qytetarët, duke marrë 84 për qind mbështetje në një sondazh të votuesve të mundshëm për zgjedhjet paraprake të gushtit.
Në nisje të fushatës së tij për guvernator, Duggan tha se synonte të "përmbyste" sistemin dhe t'u ofronte votuesve të Miçiganit "një zgjedhje të re: një guvernator që nuk kandidon për llogari të asnjërës parti, por që punon çdo ditë vetëm për t'i bashkuar njerëzit në të mirë të gjithë Miçiganit".
Një sondazh i fundit i kryer nga Schoen Cooperman Research për fushatën e tij e renditi Dugganin me 26 për qind të mbështetjes, katër pikë pas sekretares së shtetit Jocelyn Benson dhe tre pas republikanit John James.
Sipas tij, arsyeja e rezultateve të mira në sondazhe është fakti se "mesazhet e të dyja partive kanë si qëllim t'ju bëjnë të urreni partinë tjetër edhe më shumë".
"Në cilindo cep të këtij shteti të shkosh, njerëzit janë të zemëruar me të dyja partitë," i tha ai revistës Politico.
Ish-drejtuesi i një qendre mjekësore kritikoi partinë e tij të mëparshme për "mesazhet tërësisht negative" që fokusohen vetëm në sulmet ndaj administratës Trump.
"Gjithçka që Demokratët kanë për të thënë është sa të tmerrshëm janë Republikanët," tha ai. "Republikanët duan t'ju heqin drekën e nxehtë.
Republikanët duan t'ju shkurtojnë kujdesin shëndetësor. Republikanët nuk duhen besuar."
Ai shtoi se pret që Partia Demokratike të dalë me propozime konkrete, "ja si e bëjmë strehimin të përballueshëm, ja si e përmirësojmë trajtimin e shëndetit mendor". "Është zhgënjyese të shohësh se si partia po humb rrugën," tha Duggan.
Ai këshilloi kandidatët e tjerë që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme shtetërore të "largohen nga toni negativ dhe përçarës i partive të tyre".
Megjithëse i mungon struktura e një partie pas fushatës, donatorë të pasur si republikanë ashtu edhe demokratë po e mbështesin Duggan-in, gjë që të dyja partitë po e përdorin për të vënë në dyshim besueshmërinë e tij.
Sipas profesorit të politikës Christopher Galdieri nga universiteti Saint Anselm, Duggan po "teston idenë se votuesit mund të jenë të hapur ndaj kandidatëve që ndajnë disa pozicione me Demokratët, por që nuk janë vetë demokratë, duke pyetur nëse marka 'Demokrat' është dëmtuar pas vitit 2024".
Ai shtoi: "Ndoshta ai e sheh më të mençur të krijojë një markë personale, që nuk lidhet me vitin 2024, inflacionin dhe gjithçka tjetër."
Galdieri theksoi se, ndonëse për Demokratët ka kuptim të përfitojnë nga dështimet e Trump-it në zonat demokrate, "në pjesën tjetër të vendit, duhet ta lidhësh këtë me diçka tjetër, një mesazh më pozitiv."
Gjatë tre mandateve të tij, Duggan ka rindriçuar rrugët e qytetit (40 për qind e dritave ishin të prishura), ka përmirësuar qendrën urbane dhe ka arritur rritjen e parë të popullsisë pas disa dekadash.
Detroiti, një qytet demokrat në një shtet ku gara është e ngushtë, ka shmangur valën e fundit të përpjekjeve të Trump-it për të dërguar trupa federale në qytetet amerikane në kuadër të fushatës së tij kundër krimit.
Duggan tha se e ka arritur këtë sepse Detroiti nuk ka qenë "në përplasje" me administratën Trump.
"Politika jonë për emigracionin nuk ka ndryshuar gjatë gjithë kohës që unë jam këtu: policia e Detroitit nuk zbaton ligjet federale të emigracionit," theksoi ai.
