U lirua nga qelia, flet profesori italian që u përfshi në aksident: Makthi ka mbaruar, u ktheva te…
Profesori italian Michele D’Angelo, pedagog i Biologjisë në Universitetin e L’Aquila-s, u rikthye në Itali pasi u lirua kundrejt garancisë 15 mijë euro. Ai flet për herë të parë pas lirimit dhe për aksidentin ku u përfshi në autostradën Levan-Fier, ku një 17-vjeçar shqiptar mbeti i vdekur.
“Po, e pranoj, kam pasur frikë. Sidomos në ditët e para, kur gjithçka ishte e pasigurt dhe nuk kuptohej se çfarë drejtimi do të merrte çështja. Pyesja veten nëse do të më duhej të qëndroja atje me muaj, ndoshta me vite. Ishte një mendim rrëqethës, por u përpoqa të mbështetem te besimi në drejtësi dhe në punën e avokatëve të mi”, shprehet ai në një intervistë për median italiane La Repubblica.
Tani është me bashkëshorten, Vanessa Castelli, mes maceve dhe librave të tij, ndërsa do të kthehet edhe mes studentëve. Michele D’Angelo u mbajt në burg për 75 ditë, pasi më 10 gusht u përfshi në një aksident ku fillimisht mbetën të plagosur 4 persona. Vetëm 3 ditë pas aksidentit, një 17-vjeçar nuk u mbijetoi dot plagëve dhe u nda nga jeta në spital. Për median italiane profesori shprehet se çdo ditë ka menduar për familjen e atij djali dhe boshllëkun me të cilin duhet të përballen.
Ndërsa, qëndrimin e tij në paraburgim për një kohë kaq të gjatë e sheh si një masë të tepërt.
“Një masë kaq e gjatë paraburgimi, për një person pa precedent si unë dhe për një akuzë për shkelje të kodit rrugor, më është dukur e tepërt”, thotë profesori italian.
Profesori u arrestua për 3 vepra penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Pas lirimit kundrejt garancisë, profesori italian do duhet të vijë të premten e fundit të çdo muaji në vendin tonë për të zbatuar edhe masën e detyrim paraqitjes.
