VIDEO/ Psikologia e TikTok-ut ‘bëhet’ mjeke, kuron fëmijë dhe të rritur... u jep pacientëve të njëjtat produkte
Ema Bruci është një 59-vjeçare e cila pretendon se ka mbaruar studimet e larta në degën e Psikologjisë, por nuk figuron e anëtarësuar pranë “Urdhrit të Psikologut” në Shqipëri dhe, si rrjedhojë, nuk disponon licensë për ta ushtruar profesionin si psikologe.
Megjithatë, ajo jo vetëm që e ushtron, por në mënyra të ndryshme. Zonja në fjalë publikon video me këshilla psikologjie në rrjete sociale, ftohet të flasë në televizione të ndryshme, madje zhvillon edhe seanca psikologjie në kafene. Çdo gjë në këmbim të pagesës, 30 mijë lekë të vjetra, pa kupon tatimor.
Mirëpo, kjo është vetëm maja e ajsbergut. “Piranjat” infiltruan një vajzë që do të hiqej si paciente, do të tregonte problematikat e saj dhe do të priste të trajtohej nga 59-vjeçarja. Kjo e fundit nuk u tregua aspak serioze, pasi veç zhurmave që e ndërprenë disa herë bisedën në lokal, psikologia në të shumtën e kohës fliste për veten dhe arritjet e saj profesionale. Shpeshherë “terapia” u ndërpre edhe nga telefonatat që psikologia zhvillonte me njerëz të tjerë.
“Arsyeja se pse duhet të shkojmë në zyrën e një psikologu dhe jo në një kafene, është sepse mbi të gjitha pacientët tanë kanë nevojë për privatësi. Shumë pacientë mund të refuzojnë të ndiqen apo të trajtohen për shkak të faktit se mund të jenë objekt i bullizmit në momentin që shihen në një ambient të hapur me psikologen e tyre“, shprehet psikologia Erisa Aliaj.
Pasi mësoi problemet shëndetësore të vajzës, Ema Bruci u vetëshpall psikiatre duke marrë kompetenca t’i ofrojë pacientes kurë me produkte të ndryshme. Këtë gjë ajo e bëri pa e drejtuar pacienten te mjeku i familjes dhe më pas te mjeku specialist për problemet e ndryshme shëndetësore të paraqitura. Diçka që është në kundërshtim me ligjin, pasi përshkrimi i mjekimit nuk është kompetencë e psikologut, por e psikiatrit.
“Ngaqë shumë problematika ngjajnë me njëra-tjetrën, kërkohet dhe një diferencim diagnoze që mund të kërkojë edhe kohën e vetë për të dalë në përfundim. Përfundimet tona dalin hap pas hapi. Në asnjë mënyrë një psikolog nuk mund të përshkruajë në recetë, apo dhe në propozimet e veta, integratorë, vitamina, aq më tepër medikamente, sepse në kurikulën e formimit të tij profesional nuk ka bërë një specializim, qoftë edhe në masterin shkencor, për çfarë një mjek ka formimin për të qenë ai që përshkruan trajtimin“, thotë psikiatrja Arjana Rreli.
Në bisedën që pseudo-psikiatrja zhvillon me të infiltruarën e “Piranjave”, ajo i pohon se trajton me mjekim njerëz të gjinive dhe grupmoshave të ndryshme, duke filluar nga bebet e vogla deri tek të moshuarit, dhe të gjithëve u jep të njëjtat produkte.
“Është 100% bio. Dhe kjo që është 100% bio është sukses. Pra unë nuk kam frikë, por trajtoj tani edhe 10 vjeç, edhe 12 vjeç, edhe 15 vjeç, edhe 70 vjeç me 100 lloj sëmundjesh. Lloj-lloj kategorish, njerëzit vijnë të ndryshëm, vijnë bebe të vogla…”, shprehet Ema Bruci.
“Formimi i ne psikiatrëve, por edhe i psikologëve, është i ndarë, për fëmijë/adoleshentë dhe të rritur. Nisur nga kjo, edhe propozimet për të ndihmuar trupin janë shumë specifike. Ne mjekët kërkojmë një sërë analizash për të hulumtuar në çfarë mund të jenë problematika të ngjashme. Dhe një psikolog shumë-shumë mund ta drejtojë klientin e vet te mjeku i familjes, por jo për t’i propozuar mbi çfarë ai mendon apo gjykon. E aq më tepër për ta përgjithësuar propozimin e saj sipas moshës”, thotë psikiatrja Arjana Rreli.
Pseudo-psikologia Ema Bruci gjithashtu kryen një akt tepër të shëmtuar duke shkelur çdo parim të ruajtjes së privatësisë me pacientin. Për t’u bërë e besueshme dhe e pranueshme tek pacientët e saj, 59-vjeçarja bën çmos që të tregojë histori suksesi dhe të paraqisë fakte se ka shumë klientë që i besojnë asaj. Arrin deri aty sa i tregon vajzës edhe kartat e ID të klientëve të saj dhe mandat-pagesat që ata kanë kryer.
“Themeli i punës së një psikologu ndërtohet te sekreti profesional. Çdo pacient që ndjek seancat tek një psikolog, duhet të jetë totalisht i mbrojtur nga identifikimi i tij, qoftë edhe nga njerëzit më të afërt. Ka raste kur motra dhe vëllai mund të ndjekin seancat tek i njëjti psikolog dhe askush nuk e di për njeri-tjetrin. Deri këtu arrin konfidencialiteti që duhet të ruajë një terapist për pacientët e vet”, përfundon psikologia Erisa Aliaj./ Emisioni Piranjat


