Vllaznia përmbys Tiranën me 10 lojtarë në Klasiken e Shqipërisë dhe shkëputet në krye, Elbasani fiton ndaj Bylisit

Në “Loro Boriçi”, derbi më i madh i futbollit shqiptar foli sërish shkodrançe!

Vllaznia tregoi zemër, karakter dhe cilësi, duke mposhtur Tiranën me rezultatin bindës 3-1, në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Superiore, edhe pse për gati 40 minuta luajti me një lojtar më pak.

Tirana e nisi më mirë sfidën, duke kaluar në avantazh në minutën e 9-të pas një goditjeje këndi, kur topi i goditur nga Tabeku u devijua dhe përfundoi në rrjetë pas krahëve të Pohls.

Por avantazhi zgjati shumë pak. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Jago shpërtheu me një gjuajtje të fuqishme nga distanca, që nuk i la asnjë shans portierit Tafas.

Shkodra shpërtheu sërish në festë në minutën e 20-të, kur pas një aksioni të rrjedhshëm në krahun e djathtë, Mala asistoi bukur për Balajn, i cili ndjek aksionin dhe përmbys shifrat në 2-1.

Pjesa e dytë solli tension: në minutën e 52-të, Kuros ndëshkohet me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Haxhiut, duke e lënë Vllazninë me dhjetë futbollistë.

Por skuadra e Josës nuk u dorëzua, përkundrazi.

Në minutën e 76-të, Balaj fitoi një penallti pas ndërhyrjes së Valerianos, dhe Kastrati e shndërroi me qetësi në gol, duke vulosur fitoren 3-1 për kuqeblutë.

Falë këtij suksesi, Vllaznia mbetet në krye të renditjes me 19 pikë, pesë më shumë se ndjekësit më të afërt: Elbasani, Egnatia dhe Dinamo.

Ndërkohë, Tirana mbetet në krizë, në vendin e parafundit me vetëm 6 pikë dhe shumë pikëpyetje për të ardhmen.

Në ndeshjen tjetër Elbasani fitoi 2-1 ndaj Bylisit. Skuadra e Elbasanit rëdnitet e dyta në tabelë.