Napoli, në provë zjarri ndaj Interit: Conte kërkon përulësi dhe sakrificë, por humbet Højlund dhe Meret
Napoli kërkon ringritjen pas dy humbjeve radhazi dhe përballja e nesërme me Interin në “Diego Armando Maradona” do të jetë një test vendimtar për skuadrën e Antonio Contes.
Pas disfatës së rëndë në Eindhoven, trajneri kërkon reagim dhe ka bërë thirrje për përulësi, punë dhe sakrificë – tri fjalët kyçe që, sipas tij, duhet të udhëheqin grupin për të dalë nga kriza.
Në stërvitjen e fundit, Conte ka punuar si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë mendor, duke analizuar me skuadrën gabimet e bëra në Holandë dhe mënyrat për t’i shmangur kundër kampionëve në fuqi.
“Ripërtëritja” është fjala që përmbledh atmosferën te Napoli, me trajnerin që kërkon përkushtim maksimal nga të gjithë lojtarët.
Megjithatë, lajmet nga infermieria nuk janë aspak të mira. Rasmus Højlund nuk do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Interit.
Testet e mëngjesit të sotëm kanë konfirmuar se sulmuesi danez nuk e ka kaluar plotësisht dëmtimin në kofshën e majtë dhe Conte nuk dëshiron ta rrezikojë.
Zëvendësuesi më i mundshëm është Lorenzo Lucca, i cili kërkon rehabilitim pas kartonit të kuq në Champions League, por nuk përjashtohet as ideja e David Neres në rolin e “falsit nëntë”.
Një tjetër goditje e rëndë për Napolin është dëmtimi i portierit Alex Meret. Gjatë stërvitjes së mëngjesit, ai pësoi një frakturë në metatarsin e dytë të këmbës së djathtë.
Nëse fraktura rezulton e përbërë, rikuperimi mund të zgjasë 20 deri në 30 ditë; në rast të kundërt, periudha do të jetë më e gjatë. Në portë do të aktivizohet Milinković-Savić.
Pavarësisht vështirësive, stadiumi “Maradona” do të jetë plot. Tifozët e Napolit janë gati t’i qëndrojnë pranë skuadrës në një ndeshje që mund të përcaktojë shumë për ecurinë e sezonit.
