Australia “OK” për Milan – Como/ “Football Australia” miraton zhvillimin e ndeshjes në Perth
Federata Australiane e Futbollit ka dhënë aprovimin për zhvillimin e ndeshjes së Serie A mes Milanit dhe Comos në Perth. Ndeshja pritet të jetë historike, si e para e kampionatit italian që luhet jashtë kontinentit evropian, me synimin për të sjellë përfitime për futbollin vendas.
Federata Australiane e Futbollit ka dhënë miratimin zyrtar për zhvillimin e ndeshjes së Serie A mes Milanit dhe Comos në qytetin e Perthit, duke i hapur rrugë zyrtarisht një prej ndeshjeve më të shumëpritura dhe më të debatuara të futbollit italian.
Vendimi u konfirmua në një letër drejtuar Rita Saffioti, zëvendëskryeministre dhe ministre e Sportit e Australisë Perëndimore, ku thuhet se Football Australia do të përfshijë këtë aprovimin në dokumentacionin që do t’i dërgohet Konfederatës Aziatike të Futbollit.
Sipas dokumentit, Federata Australiane ka theksuar se politika sportive e vendit synon që një pjesë e të ardhurave nga ndeshja të shkojë për nxitjen e futbollit vendas dhe për përfshirjen e komuniteteve lokale në aktivitete të përbashkëta me Serie A italiane. Po ashtu, garantohet që sfida nuk do të përplaset me ndeshjet e kampionatit australian apo me angazhimet e përfaqësueseve kombëtare.
Federata nënvizon se synimi është që organizimi i këtij eventi të sjellë përfitime konkrete për komunitetin futbollistik vendas, duke u shndërruar në një ngjarje historike: hera e parë që një ndeshje kampionati italian zhvillohet jashtë Evropës. Për këtë arsye, theksohet nevoja për “kujdes dhe përgjegjësi maksimale” në menaxhimin e çdo detaji, në mënyrë që ndikimi të jetë i matshëm dhe afatgjatë për sportin lokal.
Pas këtij hapi, vendimi përfundimtar i takon Konfederatës Aziatike të Futbollit dhe më pas FIFA-s, të cilat duhet të japin miratimin zyrtar për zhvillimin e ndeshjes në Australi.
Çështja po ndiqet me interes nga shumë institucione ndërkombëtare, pasi përveç aspektit sportiv, ajo prek edhe balancat politike dhe marrëdhëniet ndërmjet federatave kontinentale dhe Serie A.
Kundër zhvillimit të kësaj ndeshje në Australi Ka dalë edhe vetë Bashkimi Evropian.

