Rubio: Përparim në planin e paqes për Gazën
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi gjatë një vizite në Izrael se është arritur “përparim i mirë” drejt zbatimit të planit amerikan për paqe në Rripin e Gazës.
“Ne ndihemi të sigurt dhe optimistë për përparimin që po bëjmë”, tha Rubio gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, sipas një deklarate nga zyra presidenciale izraelite.
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm edhe për sfidat,” theksoi ai. “Por Presidenti e ka kthyer këtë çështje në prioritet absolut”.
Rubio shtoi se “është bërë përparim i mirë” në bisedime.
Një ndër pengesat kryesore për planin e paqes mbetet çarmatosja e Hamasit, të cilën grupi palestinez e refuzon kategorikisht. Një tjetër pikë e hapur është edhe procedura e tërheqjes së ushtrisë izraelite nga Gaza, mbi të cilën ende nuk ka marrëveshje.
Netanjahu u shpreh se beson që sfidat mund të kapërcehen përmes bashkëpunimit.
“Ne duam të nxisim paqen” , tha ai.
Sipas gazetës “Israel Hayom”, vizita e Rubio-s ka pasur gjithashtu në fokus përbërjen e qeverisë tranzitore që parashikohet të drejtojë Gazën pas përfundimit të luftës. Plani parashikon që teknokratë palestinezë të administrojnë territorin nën mbikëqyrjen e një komiteti ndërkombëtar.
Para Rubio-s, Izraelin e kishte vizituar edhe nënpresidenti amerikan JD Vance, i cili theksoi se zbatimi i planit të paqes do të kërkojë ende shumë punë.

