Presidenti Trump tërhiqet nga vendimi për të dërguar agjentë anti-krim në San Francisko

Presidenti i Amerikës, Donald Trump njoftoi se po tërheq një mision federal të planifikuar në San Francisko, pas një bisede me kryetarin e bashkisë së qytetit. Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i bashkisë Daniel Lurie tha se qyteti po bën përparim në uljen e krimit. Postimi i Trump në Twitter, erdhi pasi Lurie tha se Trump po planifikonte të anulonte vendosjen e trupave federale në qytet.

Agjentët e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare të SHBA-së kanë ardhur në qytetin e Kalifornisë për të mbështetur përpjekjet federale dhe për të gjurmuar emigrantët e paligjshëm. Ndërkohë që protestuesit, u mblodhën jashtë një baze të Rojës Bregdetare të SHBA-së ku ishin të vendosur agjentët.

Mediat e huaja shkruajnë se Lurie dhe Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom e dënuan këtë veprim, duke thënë se kishte për qëllim të provokonte protesta të dhunshme. Trump ka thënë vazhdimisht se synon të dërgojë trupa të Gardës Kombëtare në San Francisko për të goditur krimin, por nuk ka specifikuar një afat kohor për zbatimin e planit . Pretendimet e tij për krim të përhapura në San Francisko kanë hutuar udhëheqësit lokalë dhe shtetërorë, të cilët tregojnë se statistikat thonë se shumë krime janë në nivelet më të ulëta historike.

Trump ka vendosur Gardën Kombëtare në Uashington, Memfis dhe Tennessee, për të ndihmuar në luftimin e asaj që ai e quan një valë krimi të pakontrolluar. Los Angeles ishte qyteti i parë ku Trump vendosi Gardën Kombëtare, duke argumentuar se ishte e nevojshme për të mbrojtur ndërtesat federale dhe agjentët federalë. Protestuesit reaguan ndaj arrestimeve masive të emigrantëve. Ai ka thënë gjithashtu se Garda Kombëtare është e nevojshme në Çikago dhe Portland.