Tensione në drejtësi? Kreu i KLGJ nuk fton në ceremoninë e gjyqtarëve të rinj Sokol Sadushin!
Një tension i dukshëm u shfaq sot në sistemin e drejtësisë gjatë ceremonisë së betimit të 42 gjyqtarëve të rinj.
Ceremonia u zhvillua nën drejtimin e kreut të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Ilir Rusi, por mes të ftuarve mungonte kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Sadushi ka konfirmuar në një postim publik se nuk është ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e gjyqtarëve të rinj.
“Të dashur magjistratë të rinj, në këtë ditë të shënuar për karrierën tuaj dhe për sistemin e drejtësisë, ju uroj suksese, përkushtim dhe ndershmëri në misionin që nisni.
Edhe pse sot nuk kam qenë i ftuar mes jush, ndjej të njëjtin gëzim e respekt për këtë moment solemn që shënon fillimin e një përgjegjësie të madhe ndaj ligjit dhe qytetarëve.
Uroj që në të ardhmen, ngjarje të tilla të rëndësishme të pasqyrojnë gjithmonë pjekurinë, bashkërendimin dhe respektin që i detyrohemi drejtësisë.
Me respekt, Sokol SADUSHI”, shkruhet në postimin e Sadushit.
POR A ËSHTË KY NJË TREGUES I TENSIONEVE BRENDA RADHËVE TË SISTEMIT TË DREJTËSISË?
Ceremonia e betimit të magjistratëve të rinj, nuk është vetëm një moment formal dhe solemn i mbylljes së procesit të formimit akademik të atyre që nesër do të jenë autoriteti i dhënies së drejtësisë. Është shumë më tepër. Është gjithaq edhe shenjë serioziteti e respektimit të punës së bërë për formimin profesional dhe intelektual të magjistratëve të rinj, është dëshmi e kohezionit dhe e bashkëpunimit ndërinstitucional, është edhe premtimi për realizimin e pritshmërive prej një sistemi në krizë besimi dhe të keqdrejtuar, ç’ka e ka vënë atë, pra sistemin e drejtësisë përballë e jo në krah të qytetarëve.
Ndaj, mungesa e ftesës për Kryetarin e Gjykatës së Lartë, njëkohësisht Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, në ceremoninë e betimit të magjistratëve të rinj (gjyqtarëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës), jo vetëm ngre pikëpyetje serioze mbi respektin institucional dhe marrëdhëniet brenda vetë sistemit të drejtësisë, por shpërfaq në fakt një prej problemeve të mëdha që ka sistemi; mungesën e frymës kohezive brenda tij.
Në ceremoninë solemne të betimit të magjistratëve të rinj, gjyqtarëve që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, është vënë re një mungesë e pazakontë: Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, z. Sokol Sadushi, nuk ishte i ftuar të merrte pjesë, ndonëse në cilësinë e tij si Kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës ai është autoriteti që nënshkruan diplomat që iu dorëzohen magjistratëve të sapoemëruar.
Një fakt i tillë, i konfirmuar nga disa burime të ndryshme nga brenda sistemit gjyqësor, është cilësuar si një akt i pashpjegueshëm institucionalisht dhe i paprecedent në historinë e drejtësisë shqiptare.
Mungesa e ftesës për përfaqësuesin më të lartë të pushtetit gjyqësor në një ngjarje që lidhet drejtpërdrejt me procesin e formimit dhe certifikimit të gjyqtarëve të rinj, ngre pikëpyetje mbi standardet e bashkëpunimit dhe respektit ndërinstitucional në sistemin e drejtësisë.
Nuk është pavend që kjo sjellje të shihet edhe si një sinjal karshillëku primitiv, ndoshta edhe si një reagim i heshtur ndaj kritikave që z. Sadushi ka artikuluar së fundmi ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).
Le të kujtojmë se në fjalimin e tij gjatë në Mbledhjen e Gjyqtarëve të Republikës më 9 tetor 2025, Kryetari i Gjykatës së Lartë theksoi me forcë detyrimin kushtetues të këtij organi për të vepruar, e jo për të heshtur, duke thënë ndër të tjera:
“KLGJ duhet të kuptojë rolin që i ka dhënë Kushtetuta, jo për të qëndruar në hije, por për të folur me forcë, dinjitet dhe për t’u përballur në emër të gjithë gjyqësorit… Është organ qeverisës, jo zyrë teknike; përfaqësues i sistemit, jo zgjatim i heshtjes institucionale.”
Ndërsa në fjalimin e tij më të fundit, më 21 tetor 2025, z. Sadushi theksoi se faza e re e sistemit të drejtësisë kërkon më shumë lidership institucional dhe integritet personal, duke paralajmëruar se mungesa e kulturës së bashkëpunimit e zbeh frymën e reformës:
“Kultura e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit institucional është ende në proces formimi… Për të përmbushur misionin e reformës, nevojiten drejtues që shohin përtej funksionit administrativ dhe e kuptojnë drejtësinë si shërbim ndaj qytetarit, jo si status personal.”
Ky qëndrim, i cilësuar gjerësisht si një thirrje për pjekuri institucionale dhe për ta kthyer reformën në kulturë bashkëpunimi, e bën edhe më të rëndë domethënien e mospërfshirjes së tij në një ceremoni që lidhet pikërisht me misionin e përbashkët të institucioneve të drejtësisë.
Në një postim të mëhershëm në rrjetin “LinkedIn”, z. Sadushi kishte uruar magjistratët e rinj për fillimin e karrierës së tyre, duke nënvizuar se ndonëse nuk ishte i ftuar, ndiente të njëjtin respekt dhe gëzim për këtë moment solemn.
Ai kishte theksuar se ngjarje të tilla duhet të pasqyrojnë “pjekuri, bashkërendim dhe respekt ndaj drejtësisë” — një mesazh që sot tingëllon edhe më domethënës në sfondin e kësaj mospërfshirjeje.
Analistë të drejtësisë e shohin këtë episod si një provë të brishtësisë së marrëdhënieve institucionale brenda vetë sistemit të drejtësisë pas reformës, ku bashkëpunimi dhe respekti ndërmjet organeve kushtetuese të gjyqësorit duhet të jenë shtylla themelore të integritetit institucional, jo përjashtimi apo heshtja.
Në një kohë kur drejtësia shqiptare përballet me sfida të mëdha për besueshmëri dhe integritet, veprime të tilla simbolike rrezikojnë të dërgojnë mesazhin e gabuar për publikun dhe për vetë trupën e re të magjistratëve: se bashkëpunimi institucional ende nuk është bërë kulturë.
Në plan më të gjerë, përjashtimi i Kryetarit të Gjykatës së Lartë nga një ceremoni që lidhet drejtpërdrejt me betimin e gjyqtarëve të rinj që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, bie ndesh me etikën institucionale dhe me standardet që kërkon një sistem gjyqësor modern dhe evropian.
Në një shtet të së drejtës, respekti ndërmjet institucioneve është forma më e lartë e bashkëpunimit, dhe mungesa e tij jo vetëm që dëmton imazhin e drejtësisë, por minon edhe besimin publik në pjekurinë e vetë sistemit.
Në këtë kuptim, kjo ngjarje nuk është thjesht një incident ceremonial, por një simptomë që kërkon reflektim të thellë institucional mbi mënyrën se si ndërveprojnë dhe si e respektojnë njëri-tjetrin organet e drejtësisë shqiptare.

