Qeveria: Çmimi i energjisë rritet vetëm për karikimin e makinave elektrike në pika të veçanta

Çmimi i energjisë do të rritet vetëm për klientët që kërkojnë të marrin shërbimin e karikimit në kohë shumë të shkurtër, ndërsa për karikimin në rrjetin shtëpiak nuk do të ketë ndryshim çmimi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Besjan Kadiu, në një intervistë për Euronews Albania, sqaroi arsyet e vendimmarrjes së Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e tarifave të energjisë vetëm në pikat e karikimit të makinave elektrike.

“Ky është një shërbim që deri më tani ka qenë i patrajtuar në sektorin e energjisë dhe i parregulluar. Vendimi i Entit Rregullator erdhi pas kërkesës së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (FSHU), i cili kërkoi rregullimin e çmimit të energjisë për karikimin e makinave elektrike”, tha Kadiu.

Kadiu theksoi se nuk ka ndryshim në çmimin e energjisë për përdorimin familjar apo në çmimin e përgjithshëm të energjisë.

Zv/ministri shpjegoi më tej se çmimi prej 22 lekë deri në 25,3 lekë për kilovat orë do të aplikohet vetëm për klientët që kërkojnë pika të reja lidhjeje me fuqi pikëlidhjeje 11 kilovat.

Sipas tij, në shtëpi, ku fuqia është shumë më e ulët, karikimi i makinave mund të bëhet brenda 20 minutash, ndërsa kjo fuqi e lartë ndikon në rrjet duke krijuar disbalanca dhe ulje të tensionit dhe amperazhit, që ndikojnë edhe tek klientët e tjerë.

“Ky është shkaku kryesor i diferencimit në çmim, pasi ndikimi në rrjet duhet të menaxhohet edhe financiarisht”, shpjegoi zëvendësministri.

Më 15 tetor Bordi i Entit Rregullator të Energjisë miratoi vendosjen e një tarife të re për karikimin e makinave elektrike në pikat dhe stacionet me fuqi të instaluar mbi 11 kW të lidhura në nivelin e tensionit 0.4 kV.

Sipas vendimit të miratuar, nga data 1 nëntor 2025 do të aplikohet çmimi i shitjes së energjisë elektrike prej 22 lekë për kWh dhe 25.3 lekë për kWh për orarin e pikut.

Fashat orare të përcaktuara për aplikimin e çmimit të energjisë në orarin e pikut janë: për periudhën 1 nëntor deri më 31 mars nga ora 18:00 deri në 22:00 dhe për periudhën 1 prill deri më 31 tetor nga ora 19:00 deri në 23:00.