VIDEO/ Trajnim i 60 drejtuesve të rrjeteve profesionale të mësuesve ndihmës
Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar në bashkëpunim me Special Olympics zhvilluan një trajnim me mësuesit ndihmës, të cilët ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë dhe të personalizuar, duke ndihmuar secilin fëmijë të zhvillojë plotësisht potencialin e tij.
Në fokus të këtij trajnimi ishin aktivitetet mësimore, sportive dhe praktikat që forcojnë arsimin gjithëpërfshirës duke zhvilluar aftësitë e nxënësve me nevoja të veçanta.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale tha se “ky trajnim që nisi me 60 drejtues të rrjeteve profesionale të mësuesve ndihmës, do të shtrihet në gjithë vendin, si përpjekje për të konsoliduar më tej arsimin gjithëpërfshirës”.
Në shkollat e arsimit parauniversitar numërohen mbi 2100 mësues, të dedikuar për fëmijët specialë. Rritja e numrit të mësuesve ndihmës në shkollë ka bërë gjithashtu të mundur rritjen e besimit të prindërve, për të besuar fëmijët e tyre përgjatë një procesi edukativ dhe arsimor.
