Kontrata e Aeroportit të Vlorës, Xama: Konflikti për Koncesionin “prishje pazaresh”

Gazetarja Ola Xama në një postim në facebook, ka analizuar situatën e krijuar rreth koncesionit të Aeroportit të Vlorës, duke theksuar se konflikti aktual mes kompanive për aksionet duket të jetë më shumë një luftë për interesa financiare sesa shqetësim për financimin rus apo mbrojtjen e të drejtave të investitorëve.

Sipas saj, marrëveshja e shitjes midis 2A Group dhe Mabco Construction nuk ka vlerë ligjore pa miratimin e Autoritetit Kontraktor. Edhe miratimi për ndryshimin e aksionerëve nga ana e turqve të YDA u bë pa garantuar vazhdimin e aftësive teknike dhe financiare të koncesionarit.

Për më tepër, marrëveshja e huasë me Delphos Securities SARL, që lejon aksionerët të kenë akses në llogaritë e të ardhurave, është bërë gjithashtu pa miratimin e autoriteteve, duke nxjerrë në pah shkelje të kontratës dhe mungesë kontrolli nga institucionet e inteligjencës financiare.

Xama shton se edhe nëse paratë janë ruse, kontrolli me 51% të aksioneve mbetet tek Mabco Construction, kështu që rreziku i supozuar nuk ndryshon.

Postimi i plotë i Ola Xamës:

Përse konflikti për Koncesionin e Aeroportit të Vlorës ka më shumë gjasa të jetë “prishje pazaresh” se sa frikë për financim rus (siç pretendon njëra palë), apo mbrojtje e të drejtave të investitorit (që është pretendimi i palës tjetër)?!

Dhe ajo që është më e rëndësishme:

Çfarë duhet të ndodhte në një situatë normale ku shteti zbaton rregullat dhe ligjet? Që në momentin që ndryshon pronësia dhe nga koncesioni del kompania kryesore që përmbushte kriteret teknike, institucionet duhet të kërkonin zëvendësimin e saj me një firmë të ngjashme që plotësonte të njëjtat kushte. Nëse kjo nuk ndodhte, prishej kontrata dhe duhej që gara të hapej nga e para!

Por siç pranon dhe vetë kompania 2A Group në akt-padinë e dorëzuar pranë autoriteteve të drejtësisë, fitimet e kontratës koncesionare janë të mëdha: 734 milion euro për 35 vjet, ose 21 milion euro në vit! Ndaj dhe lufta për disa aksione më shumë është e fortë.