Kolumbia tërheq ambasadorin e saj nga SHBA pas deklaratave të presidentit Trump
Qeveria e Kolumbisë ka tërhequr ambasadorin e saj nga Shtetet e Bashkuara, pas deklaratave të forta të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërcënoi me rritje të tarifave doganore dhe ndërprerje të ndihmës financiare ndaj Kolumbisë.
Trump, duke komentuar goditjet ushtarake të SHBA ndaj mjeteve lundruese në Karaibe që dyshohet se transportonin drogë, e quajti presidentin kolumbian Gustavo Petro një “narkotrafikant të paligjshëm”. Deklarata që qeveria e Kolumbisë e konsideroi “fyese dhe të papranueshme”.
Ministria e Jashtme kolumbiane njoftoi se ambasadori Daniel García Peña është thirrur në Bogota për konsultime dhe se vendimet e mëtejshme do të bëhen publike në orët në vijim.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar ndjeshëm pas goditjeve ushtarake të SHBA-së në rajon, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe kritika nga aktivistët dhe organizatat e të drejtave të njeriut.
Trump paralajmëroi gjithashtu se ndihma financiare për Kolumbinë do të ndërpritet, por nuk dha detaje të qarta për masat konkrete. Kolumbia ka qenë më parë ndër përfituesit më të mëdhenj të ndihmës amerikane në hemisferën perëndimore, por këtë vit fondet janë reduktuar ndjeshëm pas mbylljes së degës humanitare të USAID.
Aktualisht, Kolumbia përballon një tarifë 10% për shumicën e eksporteve në SHBA – nivel që Trump ka vendosur ndaj shumë vendeve si masë tregtare.
