Teherani i dedikon një stacion metroje Virgjëreshës Mari
Në Teheran të Iranit është inauguruar një stacion i ri i metrosë. Veçoria e tij? Është emëruar në nder të Virgjëreshës Mari, një veprim që nuk duhet nënvlerësuar duke pasur parasysh se bëhet fjalë për Republikën Islamike, ku Islami shiit është feja zyrtare shtetërore.
Stacioni i Virgjëreshës Mari, ose Maryam Moghaddas në persisht, u inaugurua në linjën 6 të metrosë së kryeqytetit. Ndodhet në pjesën veriore të qytetit, jo larg nga Katedralja e Shën Sarkisit, një kishë apostolike që simbolizon trashëgiminë armene. Me një kupolë të dekoruar me motive persiane, harkun dhe vëllimin që ngjajnë me një kishë dhe imazhe fetare, struktura ka tërhequr vëmendje jo vetëm për mjeshtërinë artistike dhe dizajnin arkitekturor.
Që nga fundi i viteve 70, Revolucioni i udhëhequr nga Ajatollahu Ruhollah Khomeini ndryshoi fytyrën e vendit, së bashku me rënien e Shah Mohammad Reza Pahlavit. Që atëherë Irani është një teokraci, me një sistem shtetëror bazuar në përkushtimin ndaj një interpretimi të ashpër të Islamit, ku mosmarrëveshjet politike luftohen me dhunë nga regjimi, siç dëshmon vrasja e vajzës së re Mahsa Amini në shtator 2022 nga policia morale.
Zyrtarët iranianë theksuan se emri u zgjodh si “një simbol respekti” ndaj Marisë, nënës së Jezusit, e nderuar si në Krishterim ashtu edhe në Islamin shiit. Në korridoret e stacionit, Virgjëresha paraqitet me sytë e mbyllur në lutje. Një tjetër vepër tregon djalin e saj, Jezusin, që duket se ruan udhëtarët që presin për të lëvizur.
Megjithëse disa kisha historike vazhdojnë të funksionojnë, grupet për të drejtat e njeriut prej kohësh kanë dokumentuar kufizime në lirinë fetare. Arrestime, vëzhgime dhe shkelje ndaj komuniteteve të krishtera janë raportuar shpesh gjatë viteve.
Kushtetuta njeh Islamin sunni, Zoroastrizmin, Hebraizmin dhe Krishterimin si fe pakicë. Ata që konvertohen nga Islami në Krishterim mund të ushtrojnë besimin e tyre vetëm në fshehtësi, pasi rrezikojnë të arrestohen. Megjithatë, Krishterimi ishte i pranishëm në këtë zonë të botës shumë përpara ngritjes së Islamit gjatë pushtimit arab të Persisë në shekullin VII pas Krishtit.
Kjo zgjedhje ka nxitur lavdërime dhe kritika në nivel kombëtar, si dhe vëmendje ndërkombëtare: mediat ndërkombëtare kanë theksuar rëndësinë e emërtimit të një vendi publik me një figurë kristiane, në një kontekst të kritika në rritje për diskriminimin e minoriteteve fetare.
Shumë përdorues në rrjetet sociale e përshkruan vendimin si “të papritur”, por “pozitiv”, ndërsa të tjerë vunë në dukje se ky akt simbolik është në kontrast me presionet e përditshme ndaj të cilave i nënshtrohen minoritetet fetare. Nuk dihet numri i saktë i krishterëve që jetojnë në Iran, megjithëse disa burime e vlerësojnë atë midis 130 mijë dhe 1 milion. Sipas organizatës jo-fitimprurëse Article 18, e cila që nga viti 2008 lufton për lirinë e kultit dhe të drejtat e krishterëve në Iran, në vitin 2023 u arrestuan të paktën 166 persona, një numër në rritje krahasuar me vitin 2022, kur u arrestuan 134.
“Çdo element i dukshëm në këtë stacion është krijuar në mënyrë të tillë që, kur kalojmë, të kuptojmë se qëllimi është të respektojmë fetë e tjera, dhe veçanërisht krishterimin”, tha për AFP Tina Tarigh Mehr, artistja pas veprave: “Ky zog është simbol i Frymës së Shenjtë. Ulliri është simbol i paqes dhe miqësisë”, “ky stacion kujton gruan që zgjoi botën me pastërtinë e saj”, tha kryetari i bashkisë së Teheranit, Alireza Zakani.
