Khamenei refuzon kërkesën e Trump për bisedime të reja
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei refuzoi sot kërkesën për bisedime të reja të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke hedhur poshtë pretendimet e tij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkatërruar aftësitë bërthamore të Iranit, sipas “Reuters”.
Teherani dhe Uashingtoni u angazhuan në pesë raunde negociatash të tërthorta bërthamore – që përfunduan me një luftë ajrore 12-ditore në qershor, në të cilën Izraeli dhe SHBA-ja bombarduan vendet bërthamore iraniane.
“Trump tha se është një negociator, por nëse një marrëveshje shoqërohet me “shtrëngim” dhe rezultati i saj është i paracaktuar, nuk është një marrëveshje, por një imponim dhe intimidim”, tha Khamenei në një deklaratë.
Javën e kaluar, Trump i tha parlamentit izraelit se do të ishte shumë mirë nëse Uashingtoni të negocionte një “marrëveshje paqeje” me Teheranin, pas fillimit të një armëpushimi në Gaza midis Izraelit dhe grupit militant palestinez “Hamas”.
“Presidenti i SHBA-së tha me krenari se ata bombarduan dhe shkatërruan industrinë bërthamore të Iranit. Shumë mirë, vazhdoni të ëndërroni!”, shtoi Khamenei.
“Çfarë lidhje ka me Amerikën nëse Irani ka apo jo objekte bërthamore? Këto ndërhyrje janë të papërshtatshme, të gabuara dhe shtrënguese”, shtoi ai.
Fuqitë perëndimore kanë akuzuar Iranin se po përpiqet të ndërtojë, në fshehtësi armë bërthamore përmes pasurimit të uraniumit – duke kërkuar që Teherani të ndërpresë një aktivitet të tillë.
