Parashikimi i çmendur i Jeff Bezos për vitin 2045: Robotët dhe jeta në hapësirë…

Gjigantët e teknologjisë duket se janë të lodhur nga Toka. Nga Elon Musk dhe udhëtimet e tij në Mars, te Jeff Bezos dhe obsesioni i tij me të ardhmen e inteligjencës artificiale, miliarderët e botës kanë filluar ta imagjinojnë njerëzimin… diku tjetër.

Dhe është manjati i teknologjisë dhe biznesit Jeff Bezos, që bën një parashikim të çmendur. Ai parashikon që deri në vitin 2045 robotët do të punojnë dhe ne do të jetojmë në hapësirë. Mendime ndajnë edhe homologët e tij Musk, Altman dhe Gates.

Në Javën Italiane të Teknologjisë, themeluesi i “Amazon” prezantoi një vizion që duket sikur ka dalë drejtpërdrejt nga fantashkenca: deri në vitin 2045, robotët do të kenë marrë përsipër pothuajse çdo punë, ndërsa miliona njerëz do të jetojnë dhe punojnë në hapësirë.

“Miliona njerëz në hapësirë”

Deklarata e Bezos shkaktoi një sensacion. Sipas tij, njëzet vitet e ardhshme do të sjellin një transformim të shpejtë, me teknologji të aftë për të krijuar botë “utopike” larg Tokës.

“Deri atëherë,” shtoi ai, “miliona njerëz do të jetojnë jashtë Tokës. Dhe kjo do të ndodhë më shpejt nga sa mendojmë.”

Çfarë thonë Musk, Altman dhe Gates?

Por ai nuk është i vetmi që e sheh të ardhmen në orbitën rreth Tokës. Elon Musk mbetet i përkushtuar ndaj ëndrrës së tij: dërgimin e njerëzve në Mars deri në vitin 2028. Anija e parë kozmike pa pilot e SpaceX pritet të niset që vitin e ardhshëm, duke i hapur rrugën një epoke të re “aliene”.

Nga ana tjetër, Sam Altman, themeluesi i OpenAI, e imagjinon hapësirën si tregun e ardhshëm të punës profesionale.

“Brenda 10 vitesh, të diplomuarit do të kenë punë krejtësisht të reja, emocionuese dhe jashtëzakonisht të paguara mirë jashtë Tokës”, tha ai. Ai nuk e fsheh zilinë e tij për brezat e rinj, të cilët – siç pranon ai – “do të përjetojnë gjëra që vetëm i kemi ëndërruar”.

Dhe ndërsa dy miliarderët e “hapësirës” shikojnë drejt yjeve, Bill Gates frenon.

“Hapësira? Kemi mjaft punë për të bërë këtu poshtë”, tha ai. Për bashkëthemeluesin e Microsoft, përparësia duhet të mbetet Toka – nga kriza klimatike deri te shfrytëzimi i inteligjencës artificiale për përfitim shoqëror.

E nesërmja siç e imagjinojnë miliarderët

Pas pikëpamjeve të ndryshme, qëndron një supozim i përbashkët: inteligjenca artificiale do ta ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si jetojmë dhe punojmë.

Bezos beson se robotët do të bëjnë shumicën e punëve, ndërsa Gates parashikon që java e punës do të reduktohet në dy ditë, duke u dhënë njerëzve më shumë kohë për të jetuar.

E ardhmja, me sa duket, nuk do të jetë aspak si e tashmja. E vetmja pyetje që mbetet është: a do të zgjedhim të jetojmë në një parajsë dixhitale apo në një utopi mekanike?