“S’ka presione për përzgjedhjen e kreut të SPAK!”- KLP raporton në Kuvend, Bogdani: Procesi vijon

Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Mirela Bogdani, ka folur këtë të hënë gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ligjeve dhe Nismave Qytetare lidhur me arrestimin e avokatit Ulian Bajrami në Elbasan, zgjedhjen e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK.

Ajo theksoi se KLP ka kërkuar nga Prokuroria e Elbasanit informacion më të detajuar lidhur me ngjarjen dhe më pas do të dalë me një qëndrim për rastin.

“Lidhur me avokatin e arrestuar në Elbasan, ne kishim një mbledhje plenare sot që kaluam në kushtet dhe kriteret formale sot dhe për drejtuesin e SPAK-ut dhe e diskutuam në mënyrë informale, vendosëm që do kërkojmë informacion për të komunikuar me drejtuesin e prokurorisë edhe pastaj do vlerësojmë qëndrimin, nuk mund të shprehemi ende.

Informacioni në media ishte i kufizuar dhe nuk mund të dalim me një qëndrim të nxituar. Unë nuk mendoj se duhet të nxitohemi”, tha Mirela Bogdani.

Kujtojmë se avokati Ulian Bajrami është arrestuar më 18 tetor, pasi ka kërcënuar një prokuror gjatë një seance gjyqësore.

Për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Bogdani tha se roli i KLP në këtë proces është formal, dhe vetëm pret emrin e përzgjedhur nga SPAK dhe komisioni i posaçëm për këtë qëllim, që ta emërojë.

“Ne jemi duke pritur nga Prokuroria e Posaçme që të sjellë propozimin dhe emrin e personit për ta caktuar sipas ligjit. Është një proces që do mbyllet së shpejti, nuk mund t’ju them një afat kohor. Ndoshta mund të jetë momenti që Këshilli të ketë një rol më aktiv të procedurës së ndjekur, por roli i Këshillit është vetëm formal. Ne e kemi diskutuar gjatë këtë dhe arritëm në përfundimin që nuk mund të dalim nga parashikimet e legjislacionit. Ne do të presim emrin nga SPAK dhe komisioni për ta emëruar”, tha ajo.

Më tej, e ndalur tek gara për drejtuesin e SPAK, Bogdani tha se në vazhdim KLP do të vazhdojë me verifikim e platformave dhe profilit të tyre.

Ndër të tjera, theksoi se KLP nuk po përballet me presion nga asnjë faktor për përzgjedhjen e kreut të Prokurorisë së Posaçme.

“Unë e përmenda që kemi miratuar kushtet dhe kriteret formale për prokurorët që kanë aplikuar. Këshilli më pas do të vijojë me verifikimin e platformës, dosjeve që kanë sjellë, analizë për profilin dhe konkluzion përfundimtar në seancën dëgjimore, intervistën dhe votimin. Sa i përket presionit, më shumë është lobim, dikush është më shumë tifoz të dikujt, ka lobim për të përzgjedhur më të mirin, nuk ka presione”, u shpreh Bogdani në Kuvend.