VENDIMI I PLOTË/ Nuk i mbarojnë "hallet" Behgjet Pacollit! Pas nisjes së hetimeve, Gjykata pezullon vendimet e “Vlora Airoport”
Gjykata e Tiranës ka vendosur të pranojë kërkesën e paraqitur për sigurimin e padisë ndaj shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte parashikuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Në vendimin e firmosur më 10 tetor, gjykata urdhëron edhe pezullimin e së drejtës së votës për ortakun e shumicës, shoqërinë “Mabco Constructions SA” (Në pronësi të Behgjet Pacollit), derisa të regjistrohet kontrata e shitjes së 49% të kuotave që kjo kompani ka transferuar më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Pezullimi i kësaj të drejte mbështetet në argumentin se mungesa e regjistrimit të kësaj kontrate përbën shkelje ligjore dhe tentativë për devijimin e të drejtave të ortakëve të rinj.
Pak kohë më parë pati debate mes Pacollit dhe Valdon Ademit, përfaqësuesi i kompanisë "2A Group".
Pacolli dhe Ademi janë dy ortakë të hershëm, që bëjnë biznes bashkë prej vitesh. Por në aeroportin e Vlorës, dy miqtë u përfshinë nga një luftë e ashpër dhe u shndërruan në armiq.
Thelbi i konfliktit mes Pacollit dhe Ademit është ndarjen e aksioneve në shoqërinë koncesionare të aeroportit të Vlorës. Zyrtarisht kuotat e koncesionit të aeroportit të Vlorës zotërohen në masën 98 për qind nga Mabco e Behgjet Pacollit dhe 2 për qind nga 2A Group e Valon Ademit. Por Ademi pretendon se ai ka investuar me shumë në ndërtimin e aeroportit dhe për rrjedhojë këto investime duhet t'i përkthehen në më shumë aksione në shoqëri.
Për të qenë më të qartë, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës përfshin një investim 104 milionë euro dhe ka një sipërfaqe prej 309 hektarë. Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga "Mabetex" e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, "Yda Group", e cila kishte 48 % të aksioneve, ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”. Por po në mars të atij viti shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania “Mabco Constructions”, ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi bleu me 4450 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke. Këtu nisi dhe konflikti.
Paralelisht me vendimin gjyqësor, Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim penal për çështjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës. Në fokus janë tre individë: biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli, vëllai i tij Emin Pacolli dhe Nelson Çela, ish-administrator i kompanisë “Mabco Construction SA”. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se hetimi është regjistruar për akuzat e mashtrimit me pasoja të rënda, mashtrimit kompjuterik dhe falsifikimit të dokumenteve dhe akteve.

Sipas informacioneve, Nelson Çela është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës, ka dhënë një deponim dhe menjëherë pas kësaj ka firmosur dorëheqjen nga posti i administratorit të shoqërisë që zotëronte 100% të aksioneve të koncesionarit të Aeroportit të Vlorës. Lëvizja e tij shihet si një përpjekje për të distancuar përgjegjësinë në kushtet e një hetimi penal në zhvillim.
Hetimi për çështjen e Aeroportit të Vlorës është një tjetër episod që hedh hije mbi procesin e dhënies me koncesion të këtij projekti strategjik, që ka qenë objekt polemikash që nga fillimi. Organi i akuzës pritet të thellojë hetimet në lidhje me mënyrën e transferimit të aksioneve dhe regjistrimin e tyre në kundërshtim me legjislacionin tregtar në fuqi. /Marrë nga "Pamfleti"
Dokumenta bashkëngjitur

