INVESTIGIMI/ U sekuestrua 4 ton mish, por AKU nuk ka frigorifer. A u rifut përsëri në treg mishi i bllokuar?

Nisja e aksionit për pastrimin e tregut nga produktet ushqimore pa faturë – kryesisht bulmet dhe mish –u interpretua si fitore për konsumatorët që kërkojnë ushqime të sigurta në tryezën familjare.

Inspektorët zbritën në terren dhe në disa ditë intensive bllokuan dhjetëra produkte të gjetura pa dokumentacion që vërtetonte sigurinë dhe gjurmueshmërinë.

Televizioni “Ora News” i kërkoi Ministrisë së Bujqësisë informacion zyrtar për sasinë e bulmetit dhe mishit të bllokuar që nga dita e parë e aksionit deri më 31 korrik 2025.

Sipas përgjigjes zyrtare, Ministria e Bujqësisë konfirmon se në total janë bllokuar 102.27 ton produkte ushqimore, nga të cilat 44.48 ton janë djathë dhe gjizë, 4043 litra qumësht, ndërsa 3.98 ton mish.

SASIA E PRODUKTEVE TË BLLOKUARA

44.48 ton djathë, gjizë

4043 litra qumësht

3.98 ton mish

102.27 ton produkte ushqimore në total

Burimi: Ministria e Bujqësisë

Megjithëse aksioni u shpall me synimin për të luftuar informalitetin dhe për të garantuar standarde sigurie për konsumatorët, pyetja që lind është: ku përfundoi mishi i bllokuar?

Rubrika “Ora Investigim” i është drejtuar me kërkesë për informacion Autoritetit Kombëtar të Ushqimit – institucionit përgjegjës për sigurinë ushqimore në vend.

Në përgjigje, AKU konfirmoi se në të gjithë territorin e Shqipërisë nuk ekziston asnjë dhomë frigoriferike për ruajtjen e mishit të konfiskuar.

 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka lidhur asnjë kontratë qiraje për dhoma ose magazina frigoriferike me subjekte private për ruajtjen e mishit deri në momentin e asgjësimit.

Praktikisht, AKU ka sekuestruar rreth 4 ton mish, ndërkohë që nuk disponon asnjë ambient frigoriferik në të gjithë vendin për ta ruajtur produktin e konfiskuar.

Në këtë situatë ngrihen disa pyetje që kërkojnë përgjigje:

Nëse mishi i bllokuar ka qëndruar te subjektet që e posedonin, a mund të garantohet se ai është asgjësuar dhe nuk është rikthyer në treg?

Kush garanton që “mishi i bllokuar” nuk është kthyer në pjatat e konsumatorëve?

Sa i suksesshëm mund të konsiderohet një aksion, kur institucioni përgjegjës për sigurinë ushqimore nuk ka as kushtet minimale për ruajtjen e produkteve të sekuestruara deri në asgjësim?