Marrëveshja, Shqipëria pjesë e sistemit rajonal të pagesave të shpejta

Në kuadër të mbledhjeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington, zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, mori pjesë sot në rinënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për krijimin e sistemit të pagesave të shpejta në Ballkanin Perëndimor, me përfshirjen e Maqedonisë së Veriut.

Me këtë hap, tashmë 5 banka qendrore të rajonit janë pjesë e nismës: banka qendrore e Bosnjë-Hercegovinës, e Kosovës, e Maqedonisë së Veriut, e Malit të Zi dhe e Shqipërisë.

Në ceremoni morën pjesë Guvernatori i Bankës së Italisë, Fabio Panetta, dhe zëvendësguvernatorja Chiara Scotti, së bashku me drejtuesit e bankave qendrore të rajonit.

Marrëveshja parashikon që Banka e Italisë të ofrojë një sistem pagesash të shpejta për vendet e Ballkanit Perëndimor, të bazuar në një kopje të TIPS (TARGET Instant Payment Settlement), platforma evropiane për shlyerjen e pagesave në kohë reale, e zhvilluar nga Banka e Italisë në emër të Eurosistemit.

Kjo nismë strategjike, e miratuar nga Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane, shënon një hap madhor drejt modernizimit të infrastrukturës së pagesave në rajon, duke përmirësuar ndjeshëm përfshirjen financiare, efikasitetin dhe sigurinë e transaksioneve ndërkufitare.

Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për përfshirjen digjitale dhe financiare të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe për afrim real të rajonit me tregun dhe standardet e Bashkimit Europian.

Kjo marrëveshje përfaqëson jo vetëm një modernizim të rëndësishëm teknologjik, por edhe një vullnet të përbashkët për integrim ekonomik dhe financiar të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane.