Tregu dytësor i titujve, në rënie edhe për gjysmën e parë të këtij viti
Vëllimet e tregtimit në tregun dytësor të titujve të titujve ngelën të ulëta edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, vëllimi i tyre pësoi rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në tregun dytësor me pakicë të titujve, vëllimi i regjistruar i transaksioneve të shitjes dhe blerjes të qeverisë ishte rreth 3.6 miliardë lekë 53% më pak në krahasim me përkatësisht gjashtëmujorin dhe vitin e kaluar.
Vëllimet e tregtimit për periudhën u dominuan në masën 56% nga transaksione në instrumente afatgjata (obligacione) dhe 44% nga transaksionet në instrumentet afatshkurtra (bono thesari).
Sipas Bankës së Shqipërisë, edhe vëllimi i tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve vijon të mbetet në vlera të ulëta dhe ky aktivitet ishte disi më i vogël gjatë periudhës, në krahasim me dy gjashtëmujorët e mëparshëm. Titujt e borxhit të qeverisë mbizotëruan në volumet e tregtimit, ndërsa tregtimi i obligacioneve private ishte vetëm 3 milionë lekë.
Me qëllim për të zhvilluar tregun dytësor të instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare, në vitin 2018 Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë nisën projektin e titujve referencë, në bashkëpunim me disa banka tregtare në vend.
Pjesëmarrja në ankandet e titujve referencë mund të kryhet vetëm nëpërmjet bankave pjesëmarrëse në projekt, që kanë titullin e Zhvilluesve të Tregut. Titujt referencë (benchmark) gëzojnë likuiditet më të lartë se emetimet e zakonshme, për shkak të detyrimit që kanë Zhvilluesit e Tregut për të kuotuar çmime blerjeje dhe shitjeje në tregun sekondar, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e lidhur me Ministrinë e Financave.
Në këtë projekt, aktualisht, përfshihen emetimet e fundit të obligacioneve 3, 4 dhe 5-vjeçare. Kuotimi ditor i yield-it për tregtim sekondar u jep këtyre instrumenteve tipare më likuide, por njëkohësisht mundëson edhe vlerësimin e një çmimi më të drejtë.
Në vitin 2018, ku projekt u themelua me pjesëmarrjen e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) Credins Bank, Bankës Intesa Sanpaolo Albania, Bankës Amerikane të Investimeve (ABI Bank) dhe Bankës së Parë të Investimeve Shqipëri (Fibank). Që prej muajit korrik 2025, projektit i është bashkuar edhe Raiffeisen Bank.
Kuotimi me bazë ditore i titujve referencë mundëson llogaritjen e kurbës së yield-it që shërben si referencë për titujt e tjerë të borxhit në treg dhe mundëson llogaritjen e çmimit të tyre. Megjithatë, deri tani projekti i obligacioneve referencë nuk ka sjellë rezultate shumë të rëndësishme në rritjen e tregtimit dytësor./ Monitor
