Pistorius: Plani i shërbimit ushtarak synon të garantojë aftësinë mbrojtëse të vendit

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius mbrojti sot planin për shërbimin ushtarak vullnetar – si të nevojshëm për sigurinë e Gjermanisë.

“Propozimi synon të krijojë dhe garantojë aftësinë mbrojtëse të vendit”, tha Pistorius në Bundesrat, Dhomën e Lartë të parlamentit.

“Nuk ka të bëjë me armatimin. Ne nuk po kërcënojmë askënd. Ne po kërcënohemi”, shtoi ai.

Pistorius tha se Rusia nën drejtimin e presidentit Vladimir Putin përbënte një kërcënim real për Gjermaninë, Evropën dhe aleancën e NATO-s.

Putini po përpiqet të minojë integritetin e shteteve evropiane dhe të ndajë shoqëritë. “Ai kërkon të provokojë shtetet anëtare të NATO-s dhe e bën këtë pothuajse çdo ditë”, tha ministri i Mbrojtjes.

Deklarata e tij erdhi një ditë pasi Pistorius paraqiti projektligjin e tij në Bundestag për të rivendosur shërbimin ushtarak vullnetar.

Shërbimi ushtarak në Gjermani u pezullua në vitin 2011, por qeveria e kancelarit Friedrich Merz është e vendosur të rivendosë masën për të rritur numrin e trupave në Bundeswehr, ushtrinë gjermane, në përputhje me objektivat e reja të mbrojtjes së NATO-s.

“Sa më të fortë të jemi, për sa i përket personelit dhe pajisjeve, aq më të aftë dhe efektivë jemi në mbrojtje – dhe kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë në fund të fundit – te jemi një pengesë”, tha Pistorius.