Wadephul: Gjermania e sheh Turqinë si partner strategjik

Gjermania e konsideron Turqinë si partner strategjik brenda NATO-s dhe sheh potencial të madh për bashkëpunim në politikën e jashtme, tha sot ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul përpara vizitës së tij në Ankara.

Duke folur me gazetarët në Berlin, diplomati më i lartë i Gjermanisë tha se bisedimet në Ankara do të fokusoheshin në zhvillimet në Lindjen e Mesme, armëpushimin në Gaza, tranzicionin politik të Sirisë, konfliktin Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera të politikës së jashtme.

“Në konfliktin e Lindjes së Mesme, Turqia kontribuoi në armëpushimin historik në Gaza përmes rolit të saj ndërmjetësues”, tha Wadephul, duke iu referuar armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit bazuar në planin 20-pikësh të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Me lirimin e pengjeve dhe armëpushimin, është arritur ajo që dukej e pamundur, disa javë më parë. Megjithatë, puna drejt një të ardhmeje të sigurt dhe dinjitoze për popullin e Gazës sapo ka filluar”, shtoi ai.

“Së bashku, po nxisim aksesin e plotë të ndihmës humanitarë për të lehtësuar vuajtjet dhe së bashku po punojmë për të siguruar zbatimin e plotë të planit 20-pikësh për një paqe afatgjatë”, tha Wadephul.

Gjatë udhëtimit të tij njëditor në Ankara, Wadephul ka planifikuar të takohet me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan për diskutime të gjera mbi një sërë çështjesh të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale.

Bisedimet do të mbulojnë gjithashtu lidhjet dypalëshe, marrëdhëniet në zhvillim BE-Turqi, bashkëpunimin e vazhdueshëm në industrinë e mbrojtjes dhe çështjet e aleancës së NATO-s.

“Turqia është një partner strategjik kyç për ne – brenda aleancës së NATO-s”, theksoi Wadephul përpara bisedimeve, duke vënë në dukje se diskutimet me homologun e tij turk do të trajtonin gjithashtu çështje të sigurisë ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe zhvillimet e fundit në konfliktin Rusi-Ukrainë.