Milanoja po lulëzon teksa të pasurit britanikë largohen nga Laburistët
Milano ka qenë gjithmonë një nga kryeqytetet botërore të modës. Por vetë qyteti nuk ka qenë kurrë kaq “në modë” sa është tani.
Lehtësia bujare tatimore e Italisë për të huajt, e cila tetë vite më parë hoqi rregullat e ndërlikuara për tatimin e të ardhurave të huaja, duke i zëvendësuar me një taksë të sheshtë vjetore prej 200,000 euro, tashmë kishte tërhequr në Milano një numër të vogël financierësh të kamur, zyra familjare dhe menaxherë fondesh.
Por masat e qeverisë së Starmer ndaj super-të pasurve të Londrës rrezikojnë ta kthejnë largimin gradual në një valë të madhe. Laburistët, pa dashur, po shndërrojnë një qytet italian me 1.4 milionë banorë në adresën kryesore të Europës për elitën kozmopolite nomade.
Çmimet e pasurive të paluajtshme po rriten me shpejtësi, shkollat private po zgjerohen, hotelet dhe rezidencat luksoze po mbijnë dhe klubet me anëtarësi po hapin dyert.
Ndërkohë, avokatët, agjentët e pasurive dhe ndërmjetësit që ndihmojnë të hapet “porta” mes Londrës dhe Milanos po rekrutojnë staf të ri për të përballuar kërkesën.
Marc Acheson, nga kompania këshilluese e pasurisë Utmost Group, thotë se edhe pas “një prej viteve më të çmendura ndonjëherë”, kjo është ende vetëm vala e parë.
Kjo ishte vala fillestare e londinezëve të pasur që u turrën drejt daljes, para se ndryshimet fiskale në Mbretërinë e Bashkuar të hynin në fuqi dhe t’i përfshinin aktivet e tyre “offshore” në rrjetën e tatimit të trashëgimisë britanike për deri në 10 vjet.
Ngarkesa tatimore në Mbretërinë e Bashkuar pritet të jetë më e larta që nga viti 1948
Tatimet si përqindje e PBB-së
Vala e dytë janë ata që do të qëndrojnë deri në pesë vjet dhe po kërkojnë një vend ku të vendosen pasi fëmijët të mbarojnë shkollën.
Dhe pastaj do të vijë vala e tretë, që janë persona me banim në Britani, të cilët po shqyrtojnë se ku mund të bazohen për të shmangur disa nga taksat atje që po afrohen.
Ekspertët e zhvendosjes Henley and Partners thonë se këtë vit kanë përpunuar tashmë më shumë se dyfishin e aplikimeve për vizën e investitorit të Italisë, rruga më e zakonshme drejt Milanos, krahasuar me vitin 2024.
Lista e londinezëve që raportohet se po largohen është e mbushur me emra të mëdhenj nga bankingu i investimeve, menaxhimi i fondeve dhe fondet e kapitalit privat. Shumë prej tyre janë burra në të 50-at dhe 60-at, që duket se është grupmosha për të cilën Milano është më tërheqës.
‘Befasia’ e pasurive të paluajtshme
Gjallëria vërehet më shumë në qendër, në lagjen Brera ku pllakat e bronzta të firmave të kapitalit privat, fondeve spekulative dhe këshilltarëve të pasurisë tashmë stolisen në çdo hyrje.
Në shëtitoren e modës në Via Monte Napoleone, njerëz biznesi të pasur përplasen në trotuaret e ngushta me numrin gjithnjë e më të madh të turistëve që vijnë të sodisin luksin në shesh të hapur.
Shumë nga të ardhurit kërkojnë të marrin me qira ose të blejnë në Brera. Por për britanikët në veçanti, kjo mund të jetë përplasja e parë me realitetin, thotë Daniel Shillito, agjent shitje te D&G dhe Property Vision International.
“Ata kërkojnë një stil jetese luksoz, dhe përgjithësisht kjo do të thotë një apartament pranë qendrës. Por thjesht nuk ka gjendje,” thotë ai.
“Ose kur ka gjendje, shkojnë e shohin dhe s’ka hapësira të jashtme ku të nxjerrin kafshën shtëpiake. Shikojnë kuzhina në fund të shtëpisë, ku në vitet 1950-1960 vendosej stafi i shërbimit, por ata duan kuzhina të hapura me dritë të bollshme dhe ballkone.”
Diletta Giorgolo, drejtore pasurive të paluajtshme për Italinë te Sotheby’s International Realty, thotë se të pasurit kërkojnë të paktën tre ose katër dhoma gjumi, dhe shpesh përfundojnë duke parë Liqenin Maggiore ose pika të tjera piktoreske brenda distancës së përditshme të udhëtimit.
Nëse presin të kenë para mënjanë pasi të shesin pronën në Londër, ndonjëherë i pret një surprizë. Çmimet e pasurive në Milano janë rritur me 50% që kur filloi regjimi i taksës së sheshtë më 2017 dhe vazhdojnë të ngjiten.
Kostot e banesave po rriten me shpejtësi
Çmimi mesatar për metër katror në qendër të Milanos
Në qytet gjuha angleze flitet nga të gjithë. Kjo vjen në ndihmë për t’u orientuar në burokracinë bizantine të Italisë, siç duhet ta bëjë çdo banor.
Nevoja për dikë që “të ndihmojë me burokracirat” ka nxitur një mini-bum mes firmave ligjore në qytet. Shumica raportojnë punësime të reja dhe zgjerim në fusha të tjera praktike.
Charles Russell Speechlys hapi një zyrë në Milano në nëntorin e kaluar, pranë katedrales Duomo në zemër të qytetit. Këtë muaj, rekrutoi një ekip juristësh me ekspertizë në transaksione korporative, pronësi intelektuale dhe tregti arti.
“Fillimisht ishim fokusuar te taksat. Hapja në Milano na lejoi jo vetëm të ndjekim lëvizjen e klientëve, të jemi më afër atyre që zhvendosen këtu, por njëkohësisht të zgjerojmë praktikën,” thotë Nicola Saccardo, kreu i praktikës italiane të firmës.
Klientët po u drejtohen gjithnjë e më shumë këtyre avokatëve me kërkesa shumë më të gjera, teksa prania e tyre në Milano galvanizon investimin dhe aktivitetin në ekonominë vendore.
Por ndërsa milanezët ‘e sapokrijuar’ përshtaten me qytetin, edhe qyteti po përshtatet me ta. Tipari më i komentuar i kësaj është shfaqja e klubeve me anëtarësi, një tipar tipik i kulturës britanike.
Këto ofrojnë diskrecionin dhe privatësinë që u mungon bareve të hoteleve, si dhe mundësinë për të kaluar kohën e socializuar që nuk e merr te një bar ekspresi apo restorant. Në Londër kjo është e zakonshme, por Milano nuk i kishte parë kurrë.
“Në Milano kishim klube të veçanta tenisi, klube shoqërore të veçanta, por ishin shumë të mbyllura, shumë të rrepta për të pranuar të rinj,” thotë Giorgolo e Sotheby’s.
Pionieri ishte Casa Cipriani, që zgjodhi Milanon për klubin e dytë pas Nju Jorkut. I hapur tre vjet më parë, ka disa bare e restorante, një qendër mirëqënieje dhe palestër, dhe një ashensor me divan brenda. Organizohen aktivitete, 90% e të cilave në anglisht.
“Shohim një numër në rritje aplikimesh për t’iu bashkuar komunitetit çdo javë, përfshirë njerëz nga MB,” thotë Maggio Cipriani nga firma familjare.
Në anën tjetër të qytetit, në shtëpinë e vjetër të Santo Versace, Wilde Club ofron katër kate për ngrënie e pije, me të paktën 4,000 euro në vit.
U hap vitin e kaluar nga Gary Landesberg, më herët pronar i Arts Club në Mayfair.
Pjesa tjetër që po ndryshon shpejt në jetën milaneze është hapja masive e shkollave private që u shërbejnë nxënësve ndërkombëtarë.
Shkollat private në Milano po përjetojnë bum, teksa vala e të pasurve britanikë që zhvendosen në Itali ka rritur ndjeshëm kërkesën.
Grupi global Inspired Education ka blerë e zgjeruar disa institucione, përfshirë St Louis School, që tashmë ka trefishuar numrin e nxënësve, dhe International School Milan, e cila po shton vende në konvikt dhe po zgjerohet edhe në Liqenin Como.
Sipas Luigi Belluzzo nga Belluzzo International Partners, sistemi arsimor privat është nën presion për të përballuar fluksin e ri, një reagim i të gjithë ekosistemit që, sipas tij, mund të jetë “vetëm maja e ajsbergut”.
Ai vlerëson se rreth 5,000 persona janë zhvendosur në Itali falë regjimit të ri tatimor.
“Kjo është një pikë në oqeanin e popullsisë italiane. Por është një pikë shumë e mirë,” shton Belluzzo.
Pika po krijon një valë të madhe, por sa do të zgjasë? Vende të tjera europiane janë kthyer kundër të pasurve dhe Italia ka një histori politike të larmishme.
Përfituesit e bumit janë unanimë se regjimi i taksës së sheshtë do të qëndrojë. Ai ka i mbijetuar qeverive si të majta, ashtu edhe të djathta, thonë ata.
Dhe megjithëse taksa vjetore e sheshtë që duhet paguar u dyfishua vitin e kaluar në 200,000 €, kjo nuk u bë me fuqi prapavepruese.
Dukshëm ka një konsensus politik se skema po funksionon siç synohet, gjë që ul rrezikun që mund të tërhiqet.
Regjimi duket se i ka dhënë Italisë një përparësi ndaj rivalëve europianë si Zvicra, Greqia dhe Spanja.
Dhe nëse Kancelarja Rachel Reeves do ta shtrëngojë edhe më fort “vidën” fiskale për grupin e pasur të Londrës kur të paraqesë Buxhetin në fund të nëntorit, tapat e prosecco-s do të shpërthejnë në Milano. / Telegraph




