Mbyllja e qeverisë amerikane zgjatet edhe javën e ardhshme, Kongresi nuk miraton ligjin për shpenzimet ushtarake
Mbyllja e pjesshme e qeverisë federale të SHBA pritet të vazhdojë edhe javën e ardhshme, pasi Senati nuk do të zhvillojë votime deri të hënën, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve vijon të jetë në pushim, raporton CNN.
Të enjten pasdite, Demokratët në Senat bllokuan një projektligj për shpenzimet e mbrojtjes, duke reflektuar mungesën e thellë të besimit mes dy partive, në një kohë kur qeveria është e paralizuar për shkak të mungesës së marrëveshjes për buxhetin.
Projektligji mori 50 vota pro dhe 44 kundër, por kishte nevojë për 60 vota për të kaluar. Demokratët refuzuan ta mbështesin, duke thënë se nuk u besohet Republikanëve se do ta lidhin këtë projektligj me të tjera nisma buxhetore të rëndësishme si ligji për punën, shëndetësinë dhe arsimin, të cilat kanë mbështetje të gjerë në kampin e majtë.
Ndërkohë, udhëheqësi republikan në Senat, John Thune, shprehu zhgënjimin që nuk u arrit as një hap i parë për të ecur përpara me paketën për mbrojtjen.
Thune kishte propozuar më herët që projektligji për mbrojtjen të kombinohej me nisma të tjera buxhetore, por për këtë nevojitej konsensus i plotë, gjë që Demokratët e konsideruan të pamundur.
Megjithatë, disa senatorë demokratë, si Jeanne Shaheen, Catherine Cortez Masto dhe John Fetterman, votuan pro ligjit, duke kaluar përkohësisht në anën e republikanëve.
Senatori Thune ndryshoi votën e tij në “jo”, një manovër procedurale që i lejon të riparaqesë ligjin në një moment të dytë.
Senati nuk mbajti asnjë votim të hënën për shkak të festës, dhe nuk ka planifikuar seanca votimi as për fundjavën, duke e lënë qeverinë në vazhdim të mbylljes.

