Konferenca e Kryetarëve/ Miratohet interpelanca me ministren Sala për “Onkologjikun”, PS kundër hetimit për “McGonigal” dhe “11 majit”
Ka përfunduar mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. PD nuk ka marrë dakordësinë e socialistëve për 2 komisionet hetimore , atë për çështjen “McGonigal” dhe për zgjedhjet e 11 majit.
Mësohet se në takim mazhoranca ka kërkuar që të ketë argumente shtesë, ndërsa vendimi përfundimtar për dy komisionet do të merret më seancën plenare të 30 tetorit.
Ndërsa për mocionin me debat për Spitalin Onkologjik, socialistët kanë propozuar që të bëhet interpelancë me Ministren e Shëndetësisë duke lënë një afat 30 ditor.
NJOFTIMI I KUVENDIT
Në drejtimin e Kryetarit, z. Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Pika e parë dhe e dytë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës nr. 2891 prot., datë 13.10.2025, të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal” dhe shqyrtimi i kërkesës nr. 2892 prot., datë 13.10.2025, të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 maj 2025”.
Pas diskutimeve, për dy çështjet në fjalë nuk u arrit dakordësia me tekstin aktual dhe do t'i kalojnë seancës plenare të 30 Tetorit me tekst të ripunuar.
Pika e tretë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i kërkesës nr. 2912 prot., datë 14.10.2025, të një grupi deputetësh të opozitës “Për zhvillim të mocionit me debat”.
Në lidhje me këtë çështje u vendos që të rishikohen propozimet që u bënë në Konferencën e Kryetarëve, që mocioni të kthehet në interpelancë urgjente dhe u caktua një afat 30 ditor për të vendosur qëndrimin në raport me mocionin dhe më pas do t'i kalojë seancës plenare.

