Amir Rrahmani ‘hap zemrën’: Unë, lideri i heshtur i Napolit, këtu shtëpia ime e dytë

Emri i tij, Amir, në arabisht do të thotë princ. Mbiemri i tij, Rrahmani, është një nga 99 emrat islamikë të Zotit. Por ai, i cili jeton dhe luan në Napoli tashmë prej shtatë vitesh, ka një shpirt “të regjur’, i fortë dhe i lidhur ngushtë me qytetin, një lidhje të cilën rinovimi i afërt i kontratës deri në 2028 do ta forcojë edhe më shumë.

Amir Rrahmani, një prej veteranëve të dhomës së zhveshjes, tregon për ambiciet e skuadrës dhe ato personale, për Napolin dhe Kombëtaren e Kosovës, për tituj dhe Champions-in, por edhe për luftën - gjithçka me një ton të qetë dhe të hollë që bën kontrast me mbrojtësin e fortë dhe efektiv që shohim në fushë dhe që ka fituar besimin e Antonio Contes.

Si jeni ndiheni fizikisht? Do të mund të riktheheni ndaj Interit më 25 tetor?

Jam më mirë dhe po punoj për t’u rikthyer sa më shpejt të jetë e mundur. Ende nuk dimë në cilën ndeshje do të rikthehem, por duhet të jemi të përgatitur dhe mbi të gjitha të mos rrezikojmë asgjë. Kam qenë jashtë për një kohë të gjatë, ndaj duhet të veprojmë me qetësi. Nuk ka rëndësi në cilën ndeshje, por që unë të rikthehem sa më shpejt dhe mbi të gjitha të jem i sigurt në fushë.”

Statistikat tregojnë se pa ju Napoli kaloi nga 0 gola në 2 ndeshje në 9 gola në 6 ndeshje: çfarë nuk funksionoi?

“Nuk është çështje e Rrahmanit apo ndonjë lojtari tjetër. Kur e gjithë skuadra mbron bashkë, mbrojtësit kanë më pak punë dhe gjithçka bëhet më e lehtë. Natyrisht, në futboll vendosin edhe detajet e vogla; një lexim i ngadaltë mbrojtës mund të sjellë një gol dhe të përcaktojë rezultatin e ndeshjes. Nuk ka sekret, por sigurohuni që kur skuadra ka një fazë mbrojtëse efektive, gjithçka në fushë bëhet më e thjeshtë.”

Jeni në Napoli prej shtatë vitesh: ndiheni si lider i skuadrës?

“Po, ndihesh si lider. Sepse jam këtu prej shumë vitesh dhe nuk jemi shumë që kemi këtë ‘vjetërsinë e shërbimit’. Sigurisht, secili ka përgjegjësinë e vet për të qenë lider; dikush e tregon këtë në mënyrë më të zhurmshme, dikush tjetër në heshtje. Por në fund të fundit, të gjithë ndajmë të njëjtën ide: të çojmë Napolin sa më lart.”

Keni luajtur në mbrojtje pranë Koulibaly-t, pastaj Kim-it dhe tani pranë Buongiorno-s dhe Juan Jesus-it: mbrojtja e Napolit gjithmonë ka funksionuar dhe ju keni qenë një konstante…

“Me të vërtetë, lojtarë të ndryshëm kanë ardhur dhe kanë ikur gjatë viteve, por unë kam qëndruar këtu dhe gjithçka ka funksionuar. Për këtë arsye dëshira ime është të qëndroj këtu sa më gjatë të jetë e mundur.”

Napoli pra ka qenë një zgjedhje jetësore për ju?

“Napoli është shtëpia ime. Mjafton të mendosh që jetoj këtu 11 muaj në vit dhe vetëm një muaj kthehem në Kosovë. Po, Napoli është një shtëpi e re për mua.”

Kur një lojtar mungon për shkak të dëmtimit dhe ndjek ndeshjet e shokëve të tij, çfarë ndien?

“Tani mund ta them: një ankth të tmerrshëm. Kur familjarët e mi më thoshin se ishin të emocionuar për të më parë të luaja, nuk e kuptoja. Por tani i kuptoj shumë mirë sepse vuaj kur jam në tribunë dhe edhe më keq kur shoh ndeshjet e shokëve në televizor. Është një emocion i fortë, një frikë dhe një ankth që nuk mund ta shpjegosh. Kjo ndodh për Napolin dhe për Kombëtaren time, Kosovën. Kur je në fushë nuk mendon për këto, je i përqendruar në lojë. Kur nuk luan, e përjeton si një tifoz i zjarrtë. Janë emocione të ndryshme, por po aq intensive.”

Si reaguat kur pamë Napolin të humbiste ndaj Milanit në ‘San Siro’?

“Isha i mërzitur për humbjen, por edhe i zemëruar që nuk mund të ndihmoja shokët e mi në fushë.”

Si grup besoni se mund të fitoni një tjetër titull pas atij të vitit të kaluar?

“Ne nuk e kemi thënë as pas titullit të tretë, as të katërt, dhe nuk do ta themi sot. Filozofia jonë është të japim gjithmonë maksimumin në çdo ndeshje, sepse rruga është shumë, shumë, shumë e gjatë. Historia e një kampionati mund të ndryshojë lehtë nga një ndeshje në tjetrën, në futboll nuk e di se si shkon. Duhet të jemi të sigurt në aftësitë tona dhe të punojmë shumë. Të mendojmë për fundin është herët; për momentin fokusi është puna e madhe.”

Krahasuar me sezonin e kaluar dhe kampionatin 2022-2023, tani ka më shumë ekuilibër, ka disa rivalë të fuqishëm si Milan, Inter, Roma dhe Juve; cili është kryesori për Napolin?

“Të gjitha këta që u përmendën. Ende nuk dimë vlerën reale të secilës skuadër, sepse jemi vetëm në fillim të sezonit dhe të gjitha janë afër në renditje. Nuk kam një ide të qartë të hierarkive, por di një gjë: të gjitha ekipet e mëdha do të luftojnë për titull. Dhe ne jemi gati t’i përballojmë.”

Keni fituar dy tituj në tre vjet: çfarë ka ndryshuar edhe në mentalitetin e grupit që është mësuar të jetë fitues?

“Gjithçka fillon nga një ndeshje njëherësh si të ishte më e rëndësishmja. Të jesh i fokusuar për ta fituar. Falë presidentit De Laurentiis, kemi një skuadër të fortë prej vitesh, ndaj gjithmonë kemi besuar se mund të fitojmë. Titujt janë një shpërblim dhe një konfirmim që ke punuar mirë.”

Nga dy titujt që keni fituar, cili ju ka mbetur më shumë në mendje?

“I pari ishte argëtues sepse kishim një avantazh të rëndësishëm dhe nuk kishte shumë presion; e shijuam shumë. I dyti ishte shumë i vështirë, por më intensiv. Të dy kanë rëndësinë e tyre në jetën time, sepse ishte hera e parë që fitova një titull në Itali. Dhe të fitosh dy brenda pesë viteve është diçka e madhe. Kur e fiton një skuadër e Jugut, ka më shumë vlerë.”

Në rrugëtimin te Napoli jeni stërvitur nga Gattuso, Spalletti dhe tani nga Conte: cilat janë diferencat midis tyre?

“Pa marrë parasysh rolin e trajnerit, çdo person është i ndryshëm. Secili ka karakterin e vet, por edhe metodën e punës dhe disiplinën e vet. Prandaj, secili ka tiparet e tij dhe me secilin mund të kesh ose jo mirëkuptim, varet nga situatat dhe momentet që përjeton skuadra. Por mund të them se jam stërvitur nga të gjithë trajnerë të shkëlqyer që kanë kontribuar për të çuar Napolin deri te këta dy tituj, duke përshkuar një rrugë të gjatë.”

Një konstante është se me të gjithë këta trajnerë keni luajtur gjithmonë titullar dhe Conte ju ka quajtur ‘kompjuter’ dhe ‘ushtar’…

“Ka lloje të ndryshme mbrojtësish: ata që ndjekin fjalë për fjalë udhëzimet e trajnerit dhe ata që ndjekin më pak, sepse ndoshta kanë më shumë cilësi. Ky diskutim nuk vlen për sulmuesit, por pa dyshim për ne, mbrojtësit, dhe mesfushorët që duhet të ndjekim më shumë atë që dëshiron trajneri. Çdo trajner ka mënyrën e vet të lojës dhe stërvitjes, por është puna jonë të ndjekim udhëzimet e tyre. Sepse në fund, trajneri është komandanti ynë, dhe ne në fushë jemi ushtarë.”

Pra ka të drejtë Conte që ju konsideron një nga mbrojtësit më të fortë në botë: më shumë një shpërblim apo një shtysë për të punuar edhe më shumë?

“Sigurisht që më shtyn të punoj më shumë, sepse në futboll rëndësi ka ajo që ndodh sot, jo ajo që ka ndodhur dje ose sezonin e kaluar. Është e rëndësishme të japësh maksimumin çdo ditë sepse njerëzit duan rezultate menjëherë. Ata nuk kujtojnë fitoret, por humbjet. Për këtë arsye them se kur fiton një ndeshje duhet ta harrosh shpejt dhe të mendosh menjëherë për të fituar ndeshjen e ardhshme. Ky është futbolli dhe në përgjithësi sporti profesional.”

Napoli i sotëm është më i forti ku keni luajtur?

“Sinqerisht nuk di ta them dhe kjo nuk është një përgjigje politike, sepse gjatë viteve kemi pasur lojtarë shumë të fortë. Besoj se nuk do të mund të përgjigjesha edhe sikur të mendoja ditë pas dite.”

Sa i përket lojtarëve të rinj, këtë verë erdhi Kevin De Bruyne: si hyri njeriu më shumë se kampioni në dhomën tuaj të zhveshjes?

“Është një djalosh i mirë, i mençur, që ka arritur menjëherë të harmonizohet me pjesën tjetër të skuadrës. Kjo gjithashtu është lehtësuar nga dhoma jonë e zhveshjes. Gjatë viteve kanë ardhur shumë lojtarë që janë integruar shpejt me ne sepse grupi ynë është shumë i hapur dhe gjithmonë ka pranuar të gjithë. Kevin është një lojtar thelbësor për ne: do të jemi pranë tij sepse vetëm duke ndihmuar njëri-tjetrin mund ta çojmë Napolin lart.”

Kjo pavarësisht konkurrencës së brendshme që ekziston…

“Është normale në skuadrat e mëdha ku ka të paktën 2-3 lojtarë të rëndësishëm për secilën rol. Por ne nuk bëjmë dallime; mbështesim njëri-tjetrin. Sepse, në fund të fundit, ajo që ka rëndësi nuk është individi, por rezultati që arrin skuadra.”

A keni një nofkë me të cilën ju thërrasin shokët e skuadrës?

“Jo, më thërrasin thjesht Amir.”

Ende nuk keni luajtur në Champions League: sa larg mund të shkojë Napoli?

“Shpresojmë sa më lart të jetë e mundur, si në të gjitha kompeticionet e tjera. Punojmë për të arritur në maksimum, për të qenë të gjithë të lumtur.”

Napoli ka arritur maksimalisht në çerekfinale; të bësh më mirë do të thotë të shkosh në gjysmëfinale…

“Pse jo? Duhet të punojmë dhe të jemi të duruar.”

Sa i përket sfidës së dyfishtë evropiane me Milanin, a është një peng?

“Po, sepse ishim në një moment të mirë, por tani shohim përpara dhe përpiqemi të bëjmë edhe më mirë.”