“ITALIA NË BOTËROR, MILAN NË SCUDETTO”/ Donnaruma: Besoj fort te kualifikimi!

Gigi Donnaruma beson fort te kualifikimi i kombëtares së tij, Italisë, në Botërorin që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. Ndonëse tashmë aktivizohet në kampionatin anglez të futbollit, ai është i vëmendshëm se çfarë ndodh në Serinë A, dhe për të Milan do të jetë kampion i padiskutueshëm i këtij sezoni.

Ish-portieri i Milanit Gianluigi Donnarumma, aktualisht gardian i portës te Manchester City, beson fort te kualifikimi i Italisë në Botëror dhe i shpalljes së kuqezinjve si kampionë të Seria A këtë sezon.

Aktualisht Italia renditet në vendin e dytë të grupit I me 15 pikë, pas Norvegjisë, ku duket se ka siguruar fazën e play-off në këto eliminatore të Botërorit.

 I pyetur nga prestigjiozja “Dello Sport”, portieri i Kombëtares Azurre tha se nuk ka më dyshime për kualifikimin.

“Do të kualifikohemi, nuk ka dyshime! Italia ka mësuar nga gabimet e së shkuarës. Por nuk  do të nënvlerësojmë askënd. Jemi të bashkuar, të vendosur dhe do të jemi gati për ndeshjet eliminatore. Fjala 'eliminatore' nuk na tremb!”

Fakti që tashmë aktivizohet në kampionatin anglez të futbollit, nuk e pengon aspak 26-vjeçarin të ndjekë ecurinë e Serie A dhe ekipit të tij të parë Milanin, që dukshëm e ka për zemër.

Më pëlqen mentaliteti te Milani. Kam folur me njerëz të brendshëm aty, dhe më thonë që besojnë shumë te titulli kampion, dhe mendoja që kanë të drejtë. Jam kurioz të di se cfarë fshihet pas kësaj kthesë të madhe që ka bërë ky ekip,- u shpreh Donnarum, ndërsa vlerësoi ekipe si Inter, energjinë te Napoli dhe Romën pas drejtimit nga Gasperini.

Donnaruma u transferua fillimisht si lojtar i lirë nga Milan te PSG në 2021-shin. Por gjatë kësaj merkato vere Manchester City shfaqi interes për të, duke blerë kartonin e tij për një vlerë rreth 30 milion euro.

Krahas kontributit që po jep te qytetarët, 26-vjeçari do të ketë një peshë të rëndësishme në sfidat e ardhshme të kombëtares së tij kundër Norvegjisë dhe Moldavisë.