KAMPION ME FINANCAT/ Interi vendos rekordin e të ardhurave në futbollin Italian

Të paktën për një dekadë hallet nuk kanë të përfunduar. Futbolli italian ka pësuar humbje financiare vit pas viti, por ja më në fund ku vjen një lajm i mirë.

Interi, edhe pse e përfundoi sezonin e kaluar me zero tituj, siç thoshte Murinjo, sërish ia pa hajrin për paratë.

Pas përfundimit të bilanceve, rezultati është fitim prej 35 milionë eurosh për zikaltërit në edicionin 2024-2025.

Një përmbysje e situatës sepse në 2023-2024 mbyllja ishte në të kuqe me -36 milionë euro.

Situata nuk është përmirësuar nga ulja e shpenzimeve, por nga rritja e të ardhurave në pjesëmarrjen në Serinë A, Champions dhe Kupën e Botës për Klubet.

KAMPION ME FINANCAT/ Interi vendos rekordin e të ardhurave në

Po ashtu, ka edhe një element tjetër në dokumentet financiare që të bën optimist. Klubi nga Lombardia siguroi të ardhura prej 546 milionë eurosh vitin e kaluar sportiv, me një rritje tepër të madhe plot 37 për qind.

E përkthyer në para, rritja është 147 milionë euro. Ky është një rekord jo vetëm për Interin, por edhe rekordi historik I futbollit italian që kur kanë nisur të mbahen bilancet.

Klubi nga Milano la pas në mënyrë të ndjeshme rekordin e mëparshëm të vendosur nga Juventusi në sezonin e parë të Kristiano Ronaldos, 2018-2019, me 464 milionë euro, pra një tejkalim prej rreth 80 milionë eurosh.