Njohja e gjenocidit serb, Manja: Rama, avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës. Në mbështetje të protestës së UÇK

Deputeti socialist Ulsi Manja në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, ka reaguar ndaj kërkesës së PD për mocion me debat mbi njohjen e gjenocidit serb dhe akuzave të demokratëve për qëndrimet e kryeministrit Rama mbi Kosovën duke pretenduar se ka mbajtur marrëdhënie të ngrohta me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Manja deklaroi se Kryeministri Edi Rama është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës, ndërsa shton se ai ka mbajtur qëndrime të forta diplomatike në tryezat ku bëhet politikë europiane dhe ndërkombëtare.

“Do ju lutesha mos na fusni në ndjeshmëritë veri-jug, Kosova është pjesë e qenësishme e çdo shqiptari dhe çdo njeriu që ka gjak shqiptari.

Sa për Edi Ramën, ai s’ka nevojë për avokat, por në cilësinë si ish-ministër kam pasur fatin ta shoqëroj në disa vizita zyrtare në Evropë dhe e them publikisht se ai është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës.

Me qëndrime të forta diplomatike, në tryeza ku realisht bëhet politika evropiane e ndërkombëtare për Kosovën ka kërkuar me forcë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 5 vende të BE që ende refuzojnë ta njohin Kosovën”, tha Manja.

Ky i fundit deklaroi se deputetët socialistë do të jenë të pranishëm në protestën e nesërme (17 tetor) në mbështetje të UÇK-së, jo si politikanë, por si qytetarë.

“Ju lutem në protestën që do mbahet nesër ne do shkojmë si qytetar. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, janë komandantë të UÇK dhe UÇK është faqja e ndritur e luftës së Kosovës për pavarësi dhe liri”, tha Manja.