Legalizohen një mijë njësi banimi në një pallat në Tiranë

Kadastra Shqiptare informoi sot se është drejt përfundimit legalizimi i apartamenteve në favor të banorëve të pallatit në rrugën “Bedri Karapici” në Tiranë.

Në një postim në rrjetet sociale, Kadastra Shqiptare bëri të ditur se ky pallat ka nisur të ndërtohet që prej vitit 2014 dhe përfshin 1,169 njësi banimi, shërbimi dhe garazhe.

Në bashkëpunim me përfaqësuesin e zgjedhur nga banorët, pas njoftimit të kryer nga Drejtoria Vendore Tirana Jug, është vijuar me plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe me emetimin e vendimeve të legalizimit në favor të poseduesve.

“Janë legalizuar 1,000 njësi, ndërsa për 169 njësitë e mbetura, procesi do të vijojë sapo të dorëzohen dokumentet përkatëse nga banorët”, theksoi Kadastra.

Kadastra fton banorët e kompleksit “Golden Park”, të cilët ende nuk janë pajisur me vendimin e legalizimit, të depozitojnë pranë drejtorisë vendore, dokumentacionin që administrojnë.

Pas 30 ditësh nga emetimi i vendimit të legalizimit, banorët mund të aplikojnë,  për regjistrimin e tij në regjistrat kadastralë dhe për pajisjen me dokumentacionin e plotë të pronësisë.