Rritje me 13,3 miliardë lekë e të ardhurave nga TAP në janar-shtator 2025

Të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP) kanë shënuar një rritje të ndjeshme në periudhën janar–shtator 2025, duke tejkaluar si pritshmëritë e planit, ashtu edhe nivelin e të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, nga ky tatim janë arkëtuar 63,1 miliardë lekë, një rritje prej 13,3 miliardë lekësh, ose 26,7% më shumë krahasuar me nëntëmujorin e vitit të kaluar.

Kjo shumë është gjithashtu 6,2 miliardë lekë më e lartë se sa ishte parashikuar në planin fillestar të të ardhurave për këtë periudhë, duke reflektuar një realizim 10,9% mbi objektivin.

Rritja e të ardhurave lidhet drejtpërdrejt me shtimin e punësimit formal, përmirësimin e deklarimit të pagave në sektorin privat, forcimin e kontrolleve tatimore, si dhe me përdorimin e teknologjive të reja për raportim dhe deklarim fiskal.

Një tjetër tregues i përmirësimit të administrimit tatimor është rritja e vazhdueshme e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Gjatë nëntëmujorit të këtij viti janë mbledhur 128,7 miliardë lekë nga këto kontribute, duke tejkaluar planin me 5,3 miliardë lekë, dhe duke qenë 13,9 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Gjithashtu, rritja e pagave në sektorin publik dhe në disa sektorë strategjikë si ndërtimi dhe shërbimet financiare, ka zgjeruar ndjeshëm bazën e tatueshme.

Përmirësimi i administrimit tatimor, përmes digjitalizimit të proceseve si e-filing dhe fiskalizimi në kohë reale, ka rritur transparencën dhe efikasitetin në mbledhjen e të ardhurave.